Mandati i KPA përfundon në qershor 2026, Çomo: Janë dhe 120 çështje, duhet buxhet për pagat e prapambetura
Veprimtaria e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përfundon në qershor të vitit 2026. Kreu i KPA-së, Sokol Çomo në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku mori pjesë në seancën dëgjimore për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”, tha se planifikimet aktuale buxhetore nuk vënë në rrezik funksionimin e këtij institucioni.
Çomo tha se duhet buxhet për pagat e prapambetura gjatë 2025.
“I vetmi vit buxhetor i plotë do të jetë 2025-a. Duhet të ketë një planifikim që problemi i pagave të prapambetura të mbyllet gjatë 2025-ës është një nga elementet që ka ngelur pa u pranuar në projektbuxhet”, tha Çomo.
Çomo tha po ashtu se kërkojnë edhe një skaner sigurie. Kreu i KPA-së nënvizoi se brenda këtij mandati synojnë mbylljen 100% të çështjeve, në mënyrë që mos të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Janë adresuar pjesa më e madhe e kërkesave. Nëse do të ishte mundësia që të adresohen në plota do të ishte një ndihmë. Në planifikojmë që në periudhën në vazhdim janë edhe rreth 120 çështje që do të duan të marrin zgjidhje, me një synim, përfundimi i shqyrtimit të çështjeve brenda mandatit kushtetues që mos të transferojmë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Ishte një proces i jashtëzakonshëm do të donim që subjektet e rivlerësimit që janë drejtuar me ankim KPA të shqyrtohen brenda këtij mandati. Është sfidë e vështirë, pasi Kolegji nuk pati zgjatje të mandatit dhe nuk e kërkojmë. Nuk duam zgjatje mandati synimi ta mbyllim në qershor 2026, 100% të çështjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Kolegji operoi me 6 gjyqtarë, megjithëse në organikë kishte 7. Të merren masa urgjente që çështjet të përfundojnë brenda mandatit kushtetues”, tha Çomo.
Çomo kërkoi po ashtu për të parë mundësinë që në strukturën organike të kenë 3 përkthyes dhe 1 redaktor.
Në total buxheti për vitin 2025 për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është 277.3 mln lekë.

