VIDEO/ Shkeli barazinë në tendera për 4 komisariate, socialisti Plarent Ndreca paraqitet në SPAK

Dy javë pasi Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur, për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ky i fundit është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK-ut.

HETIMET PËR NDRECËN

Të premten e 25 tetorit, përfaqësuesit ligjorë u paraqitë në SPAK për t'u njohur me përfundimin e hetimeve, Vetë Ndreca nuk ishte i pranishëm po përfaqësohej nga avokati Ermal Yzeiraj.

Akuza u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë. Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.