Gati pr/ligji për krijimin e “Zyrës së rikuperimit të aseteve”, Lamallari: Duhet incentivim financiar i oficerëve të hetimit

Sekuestrimi i aseteve kriminale dhe përdorimi i tyre për qëllime sociale mbeten prioritare, ndërsa synohet edhe nxitja e rasteve të reja të hetimit në luftën kundër pastrimit të parave.

Kështu u shpreh sot zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë tryezës publike të organizuar nga Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, me temë: “Parandalimi i pastrimit të parave dhe korrupsionit transnacional”.

Sipas tij, ka një trend pozitiv në vitet e fundit, ku shihet rritje e hetimeve financiare.

Lamallari bëri të ditur se tashmë është gati projektligji për krijimin e “Zyrës së rikuperimit të aseteve”, i cili do të kalojë shumë shpejt në Këshillin e Ministrave për t’iu nënshtruar më pas procedurave parlamentare.

Duke u ndalur te konfiskimi i pasurive kriminale, Lamallari nënvizoi domosdoshmërinë që të shkohet përtej progresit të treguar deri tani.

“Aktualisht ne kemi përdorimin për qëllim social të disa pasurive që janë marrë nga krimi i organizuar dhe i janë dhënë subjekteve të caktuara, si grave të dhunuara apo sipërmarrësve të rinj”, tha ai.

Por sipas zv.ministrit të Brendshëm për t’i dhënë një karakter më motivues hetimit nevojitet edhe incentivimi financiar i oficerëve të hetimit.

“Sot një oficer hetimi paguhet njësoj me dikë tjetër që bën një punë jo kaq të ngarkuar dhe duhet të jetë disponibël në çdo rast. Ndërkohë, falë punës së tij arrihet në sekuestrimin e një resorti turistik apo pasurie miliona euro. Duhet të ketë një incentivim dhe kjo kërkon një debat më të gjerë”, tha Lamallari.

Zv.ministri i Brendshëm theksoi po ashtu se paralelisht është ecur me strukturën e posaçme për analiza financiare.

“Është një punë kolosale e bërë në mënyrë ndërinstitucionale edhe me institucionet e pavarura, por edhe me mbështetjen e vazhdueshme të organizmave ndërkombëtare, si Këshilli i Europës. Janë ekspertë që na kanë asistuar në hartimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm. Kemi parë edhe modelet më të mira europiane, si modelin francez. Franca na ka mbështetur duke qenë si mentor në këtë proces”, tha Lamallari.