Malaj: Rivlerësimi i pronave në 2025-ën, paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës!
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të kryhet gjatë vitit 2025.
Ministri i Financave Petrit Malaj, deklaroi sot në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin se, “rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës për gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë”.
Malaj theksoi se “ky është një proces që do të zgjasë përgjatë vitit të ardhshëm kur të bëhen referencat e reja”.
Ministri vuri në dukje se, fillimisht do caktohen çmimet e referencës në qytetet e tjera të vendit, dhe më pas të nisë rivlerësimi pasi të dy proceset duhet të ecin paralelisht në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga afrimi i vlerës së pronës së tyre me çmimet e tregut.
Kjo qasje bëhet për shkak se siç ka paralajmëruar Kryeministri Edi Rama ky do të jetë rivlerësimi i fundit, dhe për këtë arsye caktimi i referencave të reja për qytetet e tjera kryesisht ato të bregdetit, i rrit automatikisht vlerat e pronave.
Pas këtij procesi, mund të nisë rivlerësimi nga i cili qytetarët mund të përfitojnë duke përafruar vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut, bazuar edhe në referencat e reja që do të caktohen.
Gjatë vitit 2023 u miratuan çmimet e referencës për Tiranën, ku pati rritje deri në 30% të vlerës së pronave në zonat VIP të kryeqytetit. Po ashtu për të bërë rivlerësimin e plotë, do të merret në konsideratë edhe 1% i amortizimit për vjetërsinë e banesës.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektbuxhetin për vitin 2025.
Malaj tha se, “investimet publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE)”.
Sipas tij, në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.
Ministri u ndal më specifikisht, në financimin adresuar sektorit të infrastrukturës dhe energjisë që kap vlerën e 74 miliardë lekë, ose 2.8% e PBB.
“Në infrastrukturë synohet mirëmbajtja sipas standardeve e sistemit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej 3 miliardë lekë; financimi i projekteve të rëndësishme, ku përmendim “Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës”, rrugën “Elbasan – Lekaj”, “By Pass i Elbasanit” dhe “Berat – Ballaban”.
Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritate si: Rruga e Arbrit Rruga Orikum-Dukat, by pass Porti i Jahteve, si dhe Rruga “Milot-Morinë”, ndërsa parashikohet rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas”, rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë- Han i Hotit, Porti detar i Durrësit “Porto Romano” ku për vitin 2025, janë parashikuar të investohen 14.7 miliardë lekë”, tha Malaj.


