Manastirliu: Pesëfishim i buxhetit për kërkimin shkencor, 130 projekte të mbështetura në 2024
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se “ky projektligj vjen si përgjigje e zhvillimeve të shpejta kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e shkencës, të kërkesave të vazhdueshme të komunitetit shkencor, të zgjerimit të aktorëve që marrin pjesë në sistemin e kërkimit shkencor, të misionit që ka shkenca në shërbim të njerëzimit dhe për t’iu përafruar gjithashtu legjislacionit europian si pjesë e përmbushjes e Kapitullit 25 të negociatave për shkencën dhe kërkimin shkencor në kuadër të procesit të integrimit në BE”.
Manastirliu u shpreh se “në tri dekada ndryshimesh të mëdha në jetën politike, ekonomike, dhe shoqërore të vendit shumëçka ka ndryshuar edhe në fushën e shkencës falë mbështetjes gjithnjë në rritje e qeverisë shqiptare, falë bashkëpunimit të ngushtë institucional me Akademinë e Shkencave, Institucionet e Arsimit të Lartë, por mbi të gjitha dhe vizionit të qartë drejt hapjes dhe bashkëpunimit me institucione prestigjioze ndërkombëtare, sot panorama e kërkimit shkencor në Shqipëri vjen tërësisht ndryshe”.
“Sot që flasim në Tiranë po zhvillohet Konferenca e dytë e NanoBallkanit. Mbi 250 shkencëtarë dhe kërkues të ardhur nga vende të ndryshme të botës janë mbledhur për të diskutuar arritjet më të fundit në fushën e nanoshkencës, nanoteknologjisë, e cila po gjen aplikim në çdo fushë të jetës që nga diagnostikimi i sëmundjeve, siguria dhe mbrojtja e mjedisit dhe të tjera fusha. Kjo është një dëshmi e klimës së shëndetshme që është krijuar në Shqipëri në fushën e kërkimit shkencor falë politikave mbështetëse dhe bashkëpunuese”, theksoi Manastirliu.
Patjetër, vijoi ministrja, “që një nga aktorët kryesorë është edhe rritja e buxheteve për nxitjen e kërkimit shkencor, duke qenë se duhet të sfidojmë vetveten brenda këtij mandati qeverisës e kemi pesëfishuar buxhetin për kërkimin shkencor”.
“Vetëm përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për vitin 2024 janë mbështetur 130 projekte të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore, nga 56 projekte të vitit 2021, çka do të thotë se kemi rritur ndjeshëm jo vetëm projektet e investimeve në laboratorët e kërkuesve shkencorë, por janë përfshirë edhe më shumë kërkues, pedagogë, studentë të angazhuar në këto projekte”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “nga 280 kërkues apo pedagogë të angazhuar në 2021 janë 600 pjesëmarrës në 2024. Kemi zgjeruar fushën e veprimit përmes rritjes së numrit të programeve kombëtare të kërkimit shkencor, nga 3 programe në 8 programe në këtë vit”.
“Kemi avancuar ndejshëm në procesin e ndërkombëtarizimit për kërkimin shkencor duke u bërë pjesëmarrës aktivë në nisma e programe ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor si CERN, Qendra Europiane e Kërkimeve Bërthamore, Gjenevë, Zvicër, CEPUS, etj.”, tha ministrja.
