VIDEO/ Të përjashtuar dhe jo, deputetët e opozitës kërkojnë të futen në Kuvend, ndalohen nga Garda

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur këtë të enjte në seancë plenare, ndërsa deputetët e opozitës kanë mbërritur në oborrin e Kuvendit pak minuta pas nisjes së seancës.

Të përjashtuar dhe jo, deputetët e opozitës kërkojnë të futen në Kuvend, por ndalohen nga Garda

Ndërkaq demokratët kërkojnë të futen me çdo mënyrë dhe janë shtyrë me efektivët e Gardës, të cilët të ndihmuar edhe nga gardhi metalik, i kanë penguar ata të realizojnë qëllimin e tyre.  

Seanca plenare ka nisur në orë 10:00 nën drejtimin e kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.

Pas leximit të rendit të ditës, seanca i nisi punimet me betimin  dy deputetëve të rinj, demokratit Andrea Mano i cili zë vendin e Ervin Salianjit, i cili ndodhet në burg prej rreth një muaji.

Ndërsa në vendin e socialistit Jurgis Çyrbja u ul deputeti Ervin Meka.

Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenarë të datës 28 tetor 2024, do të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.