Mosbindja civile,Telili: Kemi parë video me zë dhe me figurë sesi futeshin në qendrat e votimit. Kërkojmë rikthimin e demokracisë reale...
As kërcënimet e policisë se po kryenin vepër penale, nuk i ka ndaluar protestuesit e opozitës, që sot pasdite dolën në rrugë dhe bllokuan 6 akset kryesore në vend, për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve.
Për gjatë 3 orëve forca të shumta policie kanë mbikqyrur protestën dhe në raste sporadike kanë krijuar edhe momente tensioni. Ndërsa disa protestues janë shoqëruar në komisariate.
Në emisionin “Ora e Betit”, për të folur rreth kësaj teme i ftuar ishte Këshilltari për Ekonominë dhe Financat në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti.
"Së pari, protesta nuk është qëllimi në vetvete por është instrument. Qëllimi ynë është vetëm një: Ngritja e qeverisë teknike, për të siguruar më së fundmi pas 7 palë zgjedhjesh që menaxhohen nga qeverisja aktuale konkretisht, zgjedhjet e 2015, 16 në Dibër, 17, 19, 21, 23, 24 në Himarë. 7 palë zgjedhjesh që janë konsideruar njëra më e keqe se tjetra, për përdorimin e Administratës Publike, të fondeve publike, bandave, kriminelëve. Kemi parë video me zë dhe me figurë sesi futeshin në qendrat e votimit. Ai që kërkojmë ne është një dhe vetëm një: Rikthimi i demokracisë reale, zbatimi i Kushtetutës e ligjit dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira të ndershme", u shpreh Telili.
