Rritje të virozave te fëmijët/ Mjeku Pediatër: Reagoni shpejt në rastin e simptomave...
Numri i fëmijëve me viroza ka pësuar një rritje të ndjeshme në krahasim me muajin gusht. Mjeku pediatër Bektash Mandri i bën thirrje prindërve të reagojnë shpejt në rastet e simptomave dhe të drejtohen te mjeku ndërsa rekomandon dhe vaksinimin.
Në muajin tetor në qendrat shëndetësore raportohet një numër i lartë vizitash nga fëmijët, shumë prej të cilëve po përballen me viroza.
Mjeku pediatër Bektash Mandri, në një intervistë për Ora News, thekson se rastet e virozave tek fëmijët janë rritur ndjeshëm krahasuar me muajin gusht.
"Me luhatjen e temperaturave, ka qenë një ndryshim jashtëzakonisht i madh dhe numri i vizitave është dyfishuar që në fillim të shtatorit. Minimumi ka qenë 20 vizita në ditë.”
Fëmijët me laringite kanë qenë të shumtë, por kjo nuk përjashton gjithashtu edhe rritjen e infeksioneve virale dhe bakteriale.
“Ka patur nga të gjitha llojet e patologjive, kemi patur infeksione të rrugë të sipërme respiratore që zenë numrin më të madh të vizitave. Realisht sot kam pasur dy pacientë me bronkopneumoni me gjendje goxha të agravuar. Diagnoza më e shpeshtë ka qenë laringiti, që fillon një kolë të thatë, nga dita e dytë, tretë kolla bëhet e ashpër, shumë e zëshme shumë e zhurmshme.”
Mjeku Mandri, duke u adresuar prindërve, thekson rëndësinë e reagimit të shpejtë në rastet kur fëmijët shfaqin simptoma të sëmundjeve. Ai këshillon që të drejtohen sa më parë te mjeku në rast simptomash.
“Momentin që fillon kolla e thatë, sido që të jetë, duhet ta sjellësh dhe është mjeku ai që duhet të meret për trajtimin e tij dhe mos ta mbajnë në banesë, sepse tek fëjët e vegjël, tek ato që s'kanë mbush vitin, klinika e tyre ndryshon dhe degradon me orë, tek ato të mëdhenjtë janë pak më shumë.Mjeku gjithashtu apelon për rëndësinë e vaksinimit, duke nënvizuar se ato ndihmojnë në mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet infektive.”
Ai nënvizon se, në rastet kur fëmijët janë të sëmurë, është thelbësore që ata të mos shkojnë në shkollë apo çerdhe për të parandaluar përhapjen e infeksioneve te të tjerët.
