SPAK drejt bashkimit të dosjeve të kryebashkiakut të PS-së: Edison Memolla në hetim për abuzimet me fondet e rindërtimit dhe pasurinë
Prokuroria e Posaçme duket se po shkon drejt një bashkimi dosjesh ku personazh kryesor i hetimit është kryetari i bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla.
Sipas burimeve të “Ora News” menaxhimi i fondeve të rindërtimit dhe hetimi pasuror do të bashkohet në 1 të vetëm ku prokuror i të dyja çështjeve është Elvin Gokaj.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencë për aferën me rindërtimin në Rrogozhinë, dhe tashmë çështja do të hetohet nga SPAK, ku pritet të bëhen verifikime edhe mbi rolin e zyrtarëve të lartë.
5 punonjës të Bashkisë Rrogozhinë u arrestuan për një dëm prej 3.5 milionë euro ndërsa në hetim janë edhe 78 të persona të tjerë.
Bëhet fjalë për punonjësit Besim Ballabani, punonjës i bashkisë, Xhemile Uku, përgjegjëse e zyrës së Rinisë dhe Sportit, Edlira Ramaj, specialiste në zyrën e burimeve njerëzore, Mario Meka dhe Elton Levonja, të dy ish-punonjës të bashkisë.
Ndërkohë hetimi pasuror ka nisur prej kohësh nga SPAK ku i është drejtuar autoriteteve italiane me disa letërporosi sa i takon transaksionet financiare.

