“Në burg kush nuk paguan sigurimet”, Teliti: Rama ka 12 vite në qeveri, pse u kujtua tani? Ku kanë shkuar lekët? Sipërmarrësit problematikë marrin tendera pa u shqetësuar

Për ekspertin e ekonomisë, njëherësh dhe kryetari i anëtarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, nisma e kryeministrit Edi Rama për të rishikuar mënyrën përmes forcës për vjeljen e sigurimeve shoqërore është një nismë e dështuar.

“Është e vërtetë që problematika me pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ekziston dhe ka ekzistuar prej kohësh.

Por kryeministri Edi Rama nuk ka 11 ditë në qeverisje, por po bëhen 12 vite që është në drejtimin e vendit. Pse u kujtua tani?

Përveç kësaj, kërcënimi përmes forcës me burg e gjëra është vërtetuar tashmë si i dështuar, pasi në këto 11 vite kjo qeveri ka ndërmarrë 4 aksione të ngjashme dhe ka dështuar, kështu që edhe kjo të njëjtin fat do ketë.

Pasi këto gjëra nuk zgjidhen me aksione policore, por me politika të qarta dhe të shtrira në kohë.

Pse i ka toleruar sipërmarrësit që të shmangin detyrimet me pagesat e sigurimeve. Ku kanë shkuar paratë?

Dhe më e keqja akoma si është e mundur që këta sipërmarrës problematikë që referon, Rama vazhdon dhe iu jep tendera pa fund?

Dhe si ka mundësi që nuk kërcënon direkt këta sipërmarrës, por kërcënimi është për qytetarët dhe jo pronarët e tyre, me të cilët vijon të ndajë paratë, siç ndodh me incineratorët që vijojnë të marrin para por punë që nuk bëhen.

Kjo është krizë dhe kur je në situatë të tillë duhet të sillesh si gjeneral i krizës dhe ta zgjidhësh atë, dhe jo ta shmangësh”, u shpreh Teliti në një intervistë për “Ora News”.

INTERVISTA E PLOTE ME DORIAN TELITIN