Meta në burg/ Hamataj: Nuk është as ndalim dhe as arrestim por ekzekutim i një vendimi, nuk ke mundësi të njoftosh as avokatin...

Sot, në emisionin "Drejt" në "Ora News", tema do të fokusohet tek problemet që shpërfaqin zhvillimet e fundit dhe që kanë të bëjnë jo vetëm me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta por me të gjithë veprimin ligjor të SPAK-ut në rrjedhen e të cilit ka rënë edhe një ish-deputet socialist, për të cilin nuk po flitet më. Natyrshëm është logjike të lind pyetja: Përse? Kur problemet, akuzat në të cilat akuzohet ish-deputeti i mazhorancës janë shumë më të rënda dhe me afekte dhe ndikim më të madh mbi jetën e vendit natyrisht dhe mbi jetën e institucioneve politike që dalin nga zgjedhjet, të cilat vazhdojnë të ngelen problem i madh i shoqërisë shqiptare që prej vendosjes së pluralizmit në këtë vend.

Për të diskutuar për raportet e krimit me politikën, ndërveprimin, bashkëveprim e në këtë fokus edhe me çfarë ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, i ftuar në studio ishte avokati Ermal Hamataj.

"Përsa i përket pjesës si u ndalua. Ai nuk është as ndalim dhe as arrestim proceduralisht, ai është ekzekutim i një vendimi gjykate. Ekzekutimi i një vendimi gjykate që përmban masën e arrestit me burg nuk rregullohet as nga kodi i procedurës penale as nga dogma dhe as nga zoti. Ka një ligj tjetër që ka të bëjë me ekzekutimin e vendimeve penale që përmbajnë masë arresti me burg që e ka të menjëhershëm mënyrën e ekzekutimit, nuk lë kohë për të negociuar. Neni 24 i ligjit pika "ç": Në rastet se kemi masa sigurimi që përmbajnë arrest me burg, ekzekutimi bëhet i menjëhershëm. Ç'ka do të thotë, nuk ke mundësi të njoftosh as avokatin, dhe as të bësh asnjë njoftim tjetër. Në momentin që vendoset se ku do bëhet neutralizimi i personit, ai aty do ekzekutohet", tha Hamataj.