Arrestimi me forcë i Metës, Prençi: Askush nuk mund të më thotë që është zbatuar një nga 12 apo 14 parimet...

Prokuroria e Posaçme ka arritur të mbyllë dosjen ndaj njërës prej figurave më të pushtetshme politike në Shqipëri, Ilir Metës. Njeriut që për 34 vite ka dominuar skenën politike, që e ka nisur si anëtar i Partisë Socialiste, që ka drejtuar FRESH-in, që ka ngritur polin e tretë, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ka mbuluar detyrat më të larta të shtetit si Kryeministër, si Kryetar i Parlamentit dhe President i Republikës.

Kreu i Partisë së Lirisë do të dalë nesër para Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, pasi u arrestua me forcë nga policia ditën e djeshme.

E bashkë me të do të dalë para Gjykatës ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe dy bashkëpuntorët Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Sot, në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News" për të folur për këtë arrestim, polemikat që e kanë shoqëruar dhe dosjen e përgatitur nga prokurorët e SPAK-ut me në krye drejtuesin e saj Altin Dumani, çfarë faktesh ka dosja dhe sa qëndrojnë ato, ishte i ftuar Shemsi Prençi , ish drejtuesi i lartë i policisë.

"Fillimisht në lidhje me operacionin. Së pari, duhet të pranojmë të gjithë që propagandën, të gjithë instrumentat shtetëror po e bëjnë për një qasje të re në raport me Policinë e Shtetit, në raport me institucionet e drejtësisë së re, edhe në kushtet e përmbushjes së standarteve edhe të grup kapitullit të parë që sapo është çelur për anëtarsimin në BE. 

Pa marrë parasysh se çfarë ka gjykuar SPAK-u, se mund ta zgjidhte shumë lehtë arrestimin e zotit Meta, duke e thirrur në SPAK, duke e marrë të pandehur dhe duke e prangosur me patrullën e policisë.

Askush nuk mund të më thotë që është zbatuar një nga 12 apo 14 parimet e policimit demokratik, në rastin e operacionit për arrestimin e ish-Presidentit të Republikës", Tha Prençi.