Lufta kundër trukimit të ndeshjeve, FIFA pakt me Kombet e Bashkuara
FIFA ka bashkuar forcat me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) për të nisur edicionin e dytë të Programit të Integritetit Global të FIFA-s, një projekt që synon të mbrojë futbollin nga kërcënimi i manipulimit të ndeshjeve dhe korrupsionit.
Programi, bën të ditur vetë FIFA, ka nisur në mars 2021 dhe edicioni i ardhshëm, i cili do të zhvillohet nga marsi i ardhshëm deri në dhjetor 2027, do të përshtatet në tri nivelet e kompetencës së 211 shoqatave të lidhura: standarde, të ndërmjetme dhe të avancuara.
“Integriteti, qeverisja e mirë, etika dhe loja e ndershme janë vlera në zemër të futbollit dhe për të cilat FIFA kujdeset shumë – tha presidenti, Gianni Infantino.
Trukimi i ndeshjeve është një rrezik i qartë dhe evident dhe, së bashku me federatat ne po punojmë për ta zhdukur atë”.
Programi Global Integrity i FIFA-s synon të gjenerojë, dokumentojë dhe shpërndajë studime të rasteve, praktikat dhe mësimet më të mira për të përmirësuar luftën globale kundër manipulimit të ndeshjeve, me theks në sigurimin që këto burime të lehtësojnë ndërhyrjet proaktive dhe efektive.
Do të përfshihen specialistë të ligjit të futbollit, zyrtarë të FIFA-s dhe UNODC-së, përfaqësues të organeve kryesore drejtuese të sportit, akademikë, gjyqtarë Tas, ish-futbollistë dhe ekspertë nga kompani të specializuara në identifikimin e trukimeve të ndeshjeve.
