Hado: Harmonizim i të ardhurave për pensione dinjitoze dhe mosrritjen e barrës së kontribuesve
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado foli mbi efektet financiare nga reforma e rritjes së pensioneve që do të ndërmarrë qeveria në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.
I pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për reformën e pensioneve me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe të ministrave të linjës, Hado tha se, “synimi ynë është që ta shohim reformën e rritjes së pensioneve në të gjithë shtrirjen kohore”.
“Nuk mund të llogarisim për një vit por duhet të shikojmë se çfarë do të ndodhë edhe në vitet e ardhshme. Kjo do të thotë që çdo masë që do të marrim për pensionet nuk e ka ndikimin vetëm në vitin aktual, por e ka këtë ndikim të paktën për 15- 20 vitet në vijim”, u shpreh ai.
“Ne kemi një numër të lartë pensionistësh në raport me popullsinë rezidente në Shqipëri. Sipas censusit në Shqipëri janë 2 milionë 450 mijë qytetarë, ndërkohë që numri i pensionistëve 720 mijë. Janë 30% e totalit të popullsisë në Shqipëri, që janë mbi moshën 65 vjeç, që do të thotë se kemi pak njerëz që kontribuojnë”, tha Hodo, teksa evidentoi dhe emigracionin si fenomen ku shumë të rinj e të reja kontribuojnë në skemën e sigurimeve jashtë vendit, ndërkohë që prindërit pensionistë i kanë në Shqipëri.
Hado deklaroi se, “po punohet që të gjendet një mesatare e artë dhe të harmonizohet niveli i të ardhurave, që ka shënuar rritje të qenësishme këtë periudhë, që një pjesë e mirë e të ardhurave të mundet të shpërndahet në mënyrën e duhur që të mbeten të gjitha palët e kënaqura, që secili të mbajë pjesën e kostos dhe barrës, me qëllim që pensionisti të marrë pension dinjitoz dhe të merituar dhe të mos rritet shumë barra për ata qytetarë që janë në moshë pune”.

