Hoti: Serbia është poshtëruar dhe mundur në Kosovë nga NATO-ja, dhe nuk ka më interes për luftë
Analisti, Agron Hoti në një intervistë në Ora News u shpreh se Serbia është mundur në Kosovë nga NATO dhe nuk ka më interes për luftë me Kosovën.
Hoti: Nuk duhet harruar fakti që Kosova tashmë vetëm sa është futur në fushatë zgjedhore dhe secili mundohet që ta luajë lojën sa më mirë në mënyrë që të bindë votuesit që të marrë më shumë vota.
Pra në këtë rast si pushteti ashtu edhe opozita kanë filluar një garë të hershme që me akuza dhe kundërakuza që të bindin elektoratin sa më shumë.
Sa i përket aspektit të sigurisë, duhet pasur parasysh që Kosova ruhet nga ushtarët e NATO-s dhe nuk përbën ndonjë rrezik për të cilën do të duhet të shqetësohemi sepse vetë fakti që si partitë janë në fushatë elektorale brenda e jashtë Kosovës tanimë edhe në Diasporë të jep për të kuptuar që gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk ka ndonjë rrezik, mirëpo kjo përdoret për konsum të brendshëm.
Nuk duhet harruar se Serbia ka qenë në këto troje dhe është poshtëruar dhe është mundur nga NATO dhe nuk e ka më asnjë interes Serbia që ti futet luftës në Kosovë, kjo edhe për faktin që Serbia vitin e fundit është futur në kontrata të jashtëzakonshme me SHBA në fushën e energjisë, pastaj me Francën dhe Gjermaninë dhe kjo e rreshton Serbinë fuqishëm përkrah Perëndimit.
