KOSOVA PRET AFGANËT/ U larguan nga talebanët, gjejnë strehim në Prishtinë
Kosova ka strehuar nga tjetër grup afganës të larguar nga regjimi taleban. Prej disa ditësh 68 persona janë ndihmuar me vendim qeverie duke u dhënë edhe e drejta për të lëvizur lirshëm. Në vitin 2021 Kosova strehoi edhe rreth 2 mijë afganë të tjerë
Në Kosovë kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës 68 shtetas afganë që janë larguar nga vendi i tyre në bashkëpunim me një organizatë jo fitimprurëse.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një statusi në “facebook” ministri i Brendshëm Zhelal Zveccla.
“Ky veprim është në vazhdimësi të angazhimit të Qeverisë sonë ndaj krizës në Afganistan, duke ofruar mbrojtje dhe strehim për individët në rrezik nga konfliktet e brendshme.
Duke mos harruar faktin që populli ynë para çerek shekulli ka ndjerë nevojën e mbështetjes dhe strehimit dhe i është mundësuar ajo, sot hapim edhe ne dyert për ata e ato që kanë nevojë”, thuhet në postim.
Zonat ku ata do të qëndrojnë mbeten sekret, edhe pse thuhet se ata do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në Kosovë.
Ky është grupi i dytë që Prishtina zyrtarë ndihmon për të strehuar afganët që i largohen regjimit taleban.
Në vitin 2021 u pritën rreth 2 mijë prej tyre, kjo në koordinim me qeverinë amerikane.
Prej asaj kohe ata janë zhvendosur në shba, por një numër i vogël i tyre vijon të mbetet në Kosovë, ndërsa puna po vijon për ti dërguar në zonën ku dhe do të vendosen përfundimisht.
Talebanët rikthyen kontrollin në Afganistan në gusht të vitit 2021, pasi forcat amerikane dhe ato të NATO-s u tërhoqën nga vendi.
Që prej marrjes së pushtetit janë miratuar ligje që kufizojnë ndjeshëm të drejtat e njeriut, ndërsa grave nuk u lejohet as arsimimit.


