LZHK propozon votim elektronik edhe në qarkun e Tiranës, veç Elbasanit dhe Durrësit

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar iu përgjigj sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili propozoi votimin elektronik vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit, ndërsa kërkoi mendimin e partive politike mbi këtë çështje.

Në përgjigjen e dërguar në KQZ nga kreu i LZHK-së Dashamir Shehi propozohet që në qarqet ku mendohet të zhvillohet votimi elektronik për zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë të bashkëngjitet edhe qarku i Tiranës.

LZHK argumenton se qarku i Tiranës është qarku me peshën më të madhe politike dhe elektorale, kështu që është domosdoshmëri vendosja e identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në Tiranë.

Sipas LZHK-së, “Tirana ofron lehtësi logjistike dhe njerëzore për shkak të terrenit, infrastrukturës rrugore dhe zyrave të KQZ-së që ndodhen në Tiranë”.

“Tirana ka kryer e para modelin pilot të identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, i cili rezultoi i suksesshëm.

Votimi dhe numërimi elektronik në Tiranë bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proces të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proces për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve”, argumenton LZHK.