PD NXJERR HARTAT/ Garo: 46 % e shqiptarëve në rrezik varfërie! Zgjidhja është mosbindja civile dhe rotacioni
Zëdhënësja e PD, Floriana Garo, në një deklaratë për mediat është shprehur se nga një studim të publikuar dje, Eurostat, Agjencia Europiane e Statistikave, zbulon se mbi 46 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.
DEKLARATA E ZEDHENESES SE PD, FLORIANA GARO:
Ndërsa Edi Rama na përshëndeste dje me foto në rrjetet sociale me krerët politikë europianë, një agjenci europiane, që nuk merr parasysh politikën, por shifrat dhe faktet, po dje, i dërgonte Shqipërisë dhe shqiptarëve një ‘kartolinë të zezë’ të gjendjes reale të vendit, përtej propagandës luksoze qeveritare.
Eurostat, Agjencia Europiane e Statistikave, në një studim të publikuar dje, zbulon se mbi 46 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Nëse varfëria është një term dhe gjendje lehtësisht e kuptueshme, me përjashtim, social sipas Eurostat, duhet kuptuar diferenca ndërmjet individëve që nuk mund ta përballojnë një mall, shërbim apo aktivitet të caktuar social. Pra, thuajse gjysma e popullatës shqiptare nuk e ka këtë kapacitet.
Vlerësimi për Shqipërinë në raportin e publikuar dje mbi rrezikun e varfërisë dhe përjashtimin social në kontinentin europian, bazohet te të dhënat e vitit 2021. Në këtë periudhë në rajonin jugor të vendit 46.5% e popullsisë ishte në rrezik varfërie dhe përjashtimi social, në rajonin qendror 46.6% dhe në rajonin verior 46.7%. Edhe pse ka një ndryshim të lehtë mes veriut të vendit dhe jugut e Shqipërisë së mesme, mund të thuhet se gjysma e popullsisë shqiptare është në rrezik përjashtimi social dhe varfërie.
Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë statistikë është fakti se, sipas Eurostat, treguesit për Shqipërinë janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.
Shqipëria është rreth 15 pikë më lart krahasuar me mesataren e rajonit dhe 25 më shumë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian.
Nëse shikohet grafiku shoqërues i të dhënave të Eurostat, harta e Shqipërisë është e shënuar me të zezë. Nëse u referohemi shifrave të vetë INSTAT-it dhe censusit të fundit qeveritar, ku reklamohen 2.4 milionë shqiptarë, del që mbi 1.1 milion janë në kufirin e varfërisë dhe të përjashtimit social. Partia Demokratike e sheh me alarm dhe keqardhje të thellë këtë degradim të Shqipërisë përgjatë dekadës së qeverisjes së Edi Ramës. Dy janë ‘arritjet’ e mëdha të Rilindjes: shpopullimi i vendit dhe varfërimi i gjysmës së popullatës së mbetur në Shqipëri.
Boritë e propagandës me miliona turistë dhe me suksese globale, sicc del nga shifrat e Eurostat nuk fusin gjë në xhepin dhe as llogaritë e shqiptarëve, por vetëm sa pasurojnë një grusht me ‘strategjikë’ në oborrin e Ramës. Mosbindja civile, një qeveri teknike asnjanëse, që siguron zgjedhje të lira, një Komision parlamentar i të Vërtetës që zbulon lidhjet e krimit me politikën, dhe rotacioni janë e vetmja zgjidhje për Shqipërinë. Çdo ditë me Edi Ramën është një ditë më shumë drejt varfërisë dhe shpopullimit!


