Mblidhet Federata e Opozitës, mungojnë Meta dhe Mediu, Noka: Opozita është nën një agresion të pandalshëm! Atdheu në rrezik!
Në selinë e PD-së ka nisur takimi i partive opozitare, ku pritet të diskutohet lidhur me protestën e 7 tetorit të thirrur nga demokratët dhe aksionin opozitar që do të ndërmerret pas burgosjes së Ervin Salianjit.
Takimi po drejtohet nga Flamur Noka, ndërsa Partia e Lirisë përfaqësohet me Tedin Blushin, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie.
Gjithashtu i pranishëm në takim është edhe Agron Duka i PAA dhe Adriatik Alimadhi. Po kështu tryezës i janë bashkuar edhe Vangjel Dule i PBDNJ dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Ndërkohë takimit nuk iu bashkua kreu republikan Fatmir Mediu, i cili duket se ka munguar për arsye familjare.
Në fjalën e tij, Sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, u shpreh se në 3 vite opozita ka qenë përballë përpjekjeve për likujdimin e saj.
Ndërsa në lidhje me situatën e fundit politike me burgosjen e Salianjit dhe tensionet në Kuvend,. Noka tha e opozita është në një agresion të pandalshëm
“Federata e Opozitës së bashkuar mblidhet sot për të analizuar gjendjen e rëndë politike në të cilën Ram dhe narko regjimi e kanë futur vendin tonë prej 3 vitesh.
Opozita është nën një agresion të pandalshëm. Në 3 vite Ram ka bërë gjithçka për të likujduar opozitën.
Regjimi i Ramës i bazuar fund e krye në drogë krime, korrupsion, synimin kryesor kishte institucionalizimin e mafies në pushtet. Që të mos kishte asnjë zë të denonconte lidhjet e Ramës me trafikun e drogës”, u shpreh ai.

