Burgosja e Salianjit nxit revoltat, Kryesia e PD thërret protestë më 6 tetor

Pas më shumë se dy orësh diskutime me dyer të mbyllura, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur në përfundim të mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme se do të zhvillojë një protestë në datën 6 tetor.

Vendimi erdhi pas diskutimeve të demokratëve për të përshkallëzuar aksionin e tyre opozitar, teksa ditën e sotme Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për të dënuar me burg deputetin Ervin Salianji.

VENDIMI

Në përfundim të mbledhjes vendimin do ta njoftonte edhe Flamur Noka, i cili tha se nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare, por për përshkallëzim dhe radikalizim.

“PD me përgjegjshmëri absolute e trajtoi këtë situatë dhe ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj. Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës.

Ne nuk mund të rrimë duar kryq, kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës, kur drejtësia e re bëhet marionetë në duart e Ramës dhe regjimit, kur drejtësia e re vendos padrejtësinë e saj si normë ndaj opozitës, dhe kur drejtësia e re funksionon si organizatë kriminale për të pastruar dosjet e krimit të Ramës, Veliajt dhe pushtetarëve.

Edi Rama me vendimin e burgosjes së nënkryetarit të grupit parlamentar Ervin Salianji kërkon të kërcënojë opozitën se, kush lufton kundër Ramës dhe ministrave të tij, kush denoncon Ramën dhe ministrat e tij, kush denoncon narkotrafikun dhe lidhjet e Ramës me krimin e organizuar e pret ky fat.

Atëherë opozita nuk mund të rrijë duarkryq.

Nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare; përshkallëzim. E kemi thënë dhe po e them sot, përshkallëzim. Radikalizim.

Nuk do të thotë që të mblidhemi në bulevard, por që do të thotë se do të jemi në terren në të gjitha akset kryesore. Bllokimi i akseve do të jetë një nga idetë që do ti propozohen këshillit kombëtar.

Qytetarët janë sot një hap para opozitës. Ata janë të revoltuar dhe ata kanë nevojë që ne ti kontaktojmë dhe të ju prijmë. Rrugë jonë është pa kthim.

Edi Rama do të rrëzohet dhe ky rregjim do të rrëzohet. Shqipëria nuk mund të pranojë një narkoregjim që kërkon të likujdojë opozitën dhe të rrënojë e shpopullojë Shqipërinë. Parlamenti pa diskutim.

Aksioni opozita  do të jetë edhe në parlament edhe në terren. Nuk ka më paqe për Edi Ramën dhe regjimin e tij kriminal dhe as për narkodrejtësinë e tij. Sot mund të ju them vetëm kaq.

Kryesia e vogël e partisë është duke diskutuar detajet dhe do të ja paraqesim këshillit kombëtar. PD do të jetë në betejë me regjimin. Pra drejtësia e re është marionetë e regjimit dhe do të trajtohet si marionetë e regjimit.

Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës penale përcakton që deputetit nuk mund ti kufizohet liria apo nuk mund të burgoset pa miratimin e Kuvendit.

Narkodrejtësia politike mund të bëjë dhe çmendurira, por detyrimi kushtetues dhe ligjor është të vijë në kuvend. Ne përgjigjem do të ja japim edhe regjimit edhe narkodrejtësisë”, deklaroi Flamur Noka.

DISKUTIMET ME DYER TE MBYLLURA

Në takimin e sotëm të Kryesisë së Partisë Demokratike janë zhvilluar diskutime për hapat e ardhshëm të opozitës, teksa ditën e sotme Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin me burg të deputetit Ervin Salianji.

Deputetja Ina Zhupa theksoi nevojën për një protestë të pandalshme dhe të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri.

“Nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë,” tha Zhupa. Ajo e quajti misionin e opozitës si historik, duke shprehur nevojën për të luftuar frikën dhe për të qenë në krye të revoltës.

“Protesta e pandalshme dhe e qëndrueshme është një domosdoshmëri. Ne nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Frika mban diktaturat në këmbë, dhe sot po mbillet frika te shqiptarët. Ne kemi një mision historik për ta mposhtur frikën e qytetarëve dhe për të qenë në krye të revoltës.

Këto fabrikime të tmerrshme, të ngjashme me ato të Enver Hoxhës, janë thikë mbi kokat e çdo shqiptari. Deputetët duhet të jenë në ballë, në parlament, në rrugë. Dënimi sot, duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë, tregon qartësisht arrogancën e pushtetit. Arroganca do përballje, vendosmëri dhe qëndresë të palëkundur. Nuk na intereson karriga po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Sot kemi marrë mesazhe pafund nga qytetarët. Nuk duhet të llogarisim numrat që do të jenë në protestën e parë ose të dytë, por duhet të llogarisim që të jemi të parët në betejë dhe qytetarët do na bashkohen. Kjo lidhet edhe me vendimin tonë politik për një qeveri teknike”, u shpreh Zhupa.

Nga ana tjetër, Agron Gjekmarkaj e theksoi rëndësinë e një reagimi të menjëhershëm për situatën e Salianjit, duke kërkuar zhvillimin e diçkaje simbolike që nesër.

Ai u shpreh se, nëse Partia Socialiste do të kishte përjetuar një situatë të ngjashme kur ishte në opozitë, do të kishte pasur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët. “Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët,” tha Gjekmarkaj.

Opozita tani po përgatitet për një protestë masive, duke shpresuar se qytetarët do të bashkohen për të kërkuar një qeveri teknike dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore. Qëndrimi i fortë i Zhupës dhe Gjekmarkajt dëshmon se angazhimi i opozitës për të mbështetur qytetarët është më i fortë se kurrë.

“Të bëjmë diçka simbolike nesër, sepse po t’i ndodhte PS-së kjo kur ishte në opozitë, do të kishte reaguar i gjithë faktori ndërkombëtar.

Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët. Më shumë se protesta, Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtarët. Prandaj, duhet ta përdorim edhe këtë formë të rëndësishme.

Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët, sepse dënimi politik do të thotë që kjo drejtësi e re nuk funksionon ashtu siç duhet”, u shpreh Gjekmarkaj.