Letërsi e muzikë në Javën e Kulturës Kineze

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Kineze, çeli sot një ekspozitë me libra të autorëve kinezë më të spikatur, të përkthyer në shqip.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë kësaj jave në hollin kryesor të BKSH-së.

Ndërkohë dita e djeshme solli një mbrëmje të paharrueshme në Katedralen Ortodokse në Tiranë, në nder të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.

Letërsi e muzikë në Javën e Kulturës Kineze

Publiku pati kënaqësinë të dëgjonte melodi të veçanta nga trashëgimia mijëra vjeçare kineze, të interpretuara me mjeshtëri nga artistët kinezë. Ritmet tradicionale përfshinë shpirtin e muzikës kineze, të mbushur me filozofi dhe spiritualitet.

Ndërkohë Teatri Kombëtar i Operas e Baletit kishte përgatitur një surprizë për artistët kinezë. Ansambli Popullor interpretoi një valle shqiptare në formë përshëndetjeje për të pranishmit, duke i ftuar edhe ata të bëheshin pjesëmarrës e duke treguar se muzika është ura më e bukur që bashkon kulturat dhe njerëzit.