Arkiva me salla e studimi online/ Bido: Çojmë përpara studimet albanologjike
Në vazhdën e procesit të suksesshëm të digjitalizimit të dokumenteve, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u vjen në ndihmë studiuesve, duke e bërë lëndën arkivore lehtësisht të aksesueshme.
Për dy muaj me radhë, bazuar në këtë platformë online të studimit, dosjet e porositura të dokumenteve do të mund të konsultohen falas.
Në prezantimin e platformës Salla e Studimit online, Drejtori I Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido u shpreh se përmes kësaj risie, i ofrohet gjeneratës së re një mundësi për të shpënë përpara studimet albanologjike.
“Salla e Studimit online që ne prezantojmë sot, mund të aksesohet nga kushdo, kudo dhe në çfarëdo ore, si të ishte në Sallën e Studimit në DPA. Kjo besoj se na veçon në këtë drejtim në tentativën për t’iu qasur të rinjve, të cilët janë pikërisht ata që do të çojnë përpara studimet albanologjike, duke u ofruar mundësi që të avancojnë në këtë fushë shumë të rëndësishme për kombin”, tha kreu i DPA-së.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali e cila e e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për studiuesit nga diaspora, për të ruajtur identitetin, kulturën dhe rrënjët shqiptare
“Arkivat nuk janë vetëm një çështje e historisë për ne, por edhe një çështje identiteti, e kulturës dhe e rrënjëve tona. Më vjen shumë mirë që i keni dhënë këtë vëmendje studimit të historisë dhe uroj që kjo hapësirë të përdoret jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga të rinjtë, që duan të kuptojnë të shkuarën dhe të studiojnë më thellë. Është shumë i rëndësishëm edhe aksesi që mund të kenë studiues nga diaspora, pasi tek ata malli dhe interesi për rrënjët është më i madh.”
Ndërmarrja e kësaj nisme u adresohet veçanërisht studentëve, të cilët krahas tarifave favorizuese për përftimin e burimeve bibliografike gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike, inkurajohen më tej për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
