Nga shteti ligjor e Reforma në Drejtësi, te zgjedhjet dhe demokracia/ Shqipëria përballë BE-së në 15 tetor
Në 15 tetor Shqipëria do të hapë negociatat me BE për kapitujt themelorë.
Mësohet se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë kanë dhënë dakordesinë që në mesin e muajit tetor të zhvillohet konferenca e dytë ndërqeveritare.
Burime pranë parlamentit bëjnë me dije se në datën 2 tetor qeveria shqiptare dorëzon ne Bruksel pozicionin negociues dhe në datën 15 tetor do të organizohet konferenca e dytë ndërqeveritare.
Në procesin e negociatave për herë të parë është përfshirë edhe parlamenti, dhe kryetarja e komisionit të integrimit Jorida Tabaku ka njoftuar anëtarët e këtij komisioni që negociatat për kapituj themelorë do të zhvillohen në mesin e muajit tetor.
Ndërkaq Tabaku u ka kujtuar të gjithë anëtarëve te komisionit se dokumenti i pozicionit negociues të qeverisë shqiptare është konfidencial dhe secili prej tyre ka firmosur deklaratën ku angazhohet të mos e publikojë.
Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në korrikun e vitit 2022.
Prej atij momenti, i gjithë shteti shqiptar u përfshi në procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit të njohur ndryshe si Screening.
Pas kësaj vendi ynë ishte gati për të nisur bisedimet për clusterin e parë ose ndryshe për kapitujt themelorë, të cilët quhen kështu pasi përfshijnë çështjet më të rëndësishme nga shteti ligjor e Reforma në Drejtësi, te zgjedhjet, demokracia por edhe ekonomia.
Dhe pse Shqipëria ishte gati për të hyrë në këtë fazë të re negociatash, rruga u vështirësua për shkak te vetos së Greqisë dhe ngërçit te krijuar për shkak te arrestimit të Alfred Belerit, minoritarit që fitoi bashkinë e Himarës por që u dënua për korrupsion zgjedhor.
Mesa duket ky ngërç është kapërcyer dhe në mesin e muajit tetor Shqipëria do të ulet në tryezën e bisedimeve me Bashkimin Evropian.


