Spiropali, vizitë në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali gjatë vizitës në Shkup të Maqedonisë së Veriut vizitoi edhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, ku vendosi një buqetë me lule.

“Nuk mund të vija në Shkup dhe të mos ndaloja për të vendosur një buqetë me lule në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, shenjtores sonë, bijës më të shquar të kombit shqiptar që i përket të gjithë botës”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu në Manastir, Spiropali vizitoi edhe  Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Spiropali e cilësoi këtë Kongres si njërës prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tonë.

“51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin”, u shpreh kryeparlamentarja.

Spiropali nënvizoi se, me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip.