Shtyu gazetarët në hyrje të Kuvendit/ ''Po dhunoni gazetaret shtatzanë'', Zhupa e Tabaku kërkojnë të merren masa ndaj Majkos

Një nga momentet pikante që është kthyer në “kalë beteje” në Parlament ditën e sotme (12 Shtator), ka qenë një moment para nisjes së seancës dhe që ka për protagonist ish-kryeministrin Pandeli Majko.

Teksa hynte në godinë i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deputeti pyetej me insistim nga gazetarët e televizioneve me mikrofona në dorë, se a ndihej i rrezikuar me ndryshimet që kishte bërë Rama për listat e hapura dhe të mbyllura për t’u rizgjedhur ligjvënës.

Majko nuk u është përgjigjur dhe gazetaret kanë këmbëngulur, derisa në një moment ai shtyn me dorë mikrofonat dhe duart e tyre.

Mes gazetareve ishte edhe Eksiola Shehu, e cila është edhe shtatzënë.

Ky incident u përdor nga opozita sot në Parlament gjatë interpelancës së kryeministrit Edi Rama për mbetjet toksike.

Fillimisht ishte deputetja Jorida Tabaku që e denoncoi publikisht deputetin Majko për sjelljen e pahijshme dhe të dhunshme të sulmit ndaj gazetareve.

Ajo kujtoi se “gazetarja ishte shtatzënë”, duke kërkuar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe deputetët që “të merren masa disiplinore dhe të reagohet”.

Denoncimi i Tabakut është përforcuar nga deputetja tjetër e PD, Ina Zhupa, e cila në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias, denoncoi mazhorancën për rastet e përsëritura të dhunës verbale dhe fizike ndaj gazetarëve.

Ajo i përmendi edhe emrin gazetares Shehu që ra pre e veprimit të nxituar të Majkos, teksa kërkoi nga Spiropali që të “sillet në parlament dhe të votohet menjëherë projektrezoluta që mbron gazetarët dhe veçanërisht gratë gazetare”.

“Të sillet rezoluta për mbrojtjen e grave ndaj dhunës dhe gazetarëve. Dhe ju si kryetare Kuvendi ta sillni dhe ta votojmë.

Dhe mos bëhet standard për akte të përsëritura dhune”, tha ajo.