“Do marr 71 mandate”/ “I shitur te Rama”? Adriatik Lapaj, “flakë për flakë” Arlind Qorit: Thuaj kush janë oligarkët që s’ua thua dot emrat
Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar në media gjithë këto kohë, nuk do të ketë bashkim mes frontit opozitar të të rinjve në politikë.
Pasi Arlind Qori refuzoi bashkimin me Endrit Shabanin dhe Adriatik Lapajn dhe e nënkuptoi këtë të fundit edhe si gjobëvënës, kreu i “Shqipëria Bëhet'” i përgjigjet “flakë për flakë” kreut të Lëvizjes “Bashkë”.
Lapaj e sfidon Qorin të përmendë emrat e të gjithë oligarkëve dhe jo vetëm 2 prej tyre, pasi kjo ngre dyshime të mundshme për gjobëvënie.
I ftuar në “Podcast”-in “Të Pashoq” me Edjona Dervishin, Lapaj deklaroi se janë drejt finalizimit të bashkimit me “Nismën Thurje” të Endrit Shabanit, pasi “Lëvizja Bashkë” nuk ka pranuar t'i bashkohet.

Lapaj thotë se është i hapur për të gjithë, përveç PS – PD - PL, por edhe fraksioneve që do të dalin nga PD-ja.
Adriatik Lapaj sfidon direkt Edi Ramën, se do të marrë 71 mandate në 2025-n, duke mposhtur establishmentin e mbi 3 dekadave dhe rikthyer rotacionin e pushtetit.
I pyetur se kush e financon e me çfarë parashë po e mbajnë partinë, Adriatik Lapaj “hap thesin” dhe zbulon të vërtetën.
Më herët, po në “Të Pashoq”, Arlind Qori ngriti dyshime se Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani mund të shiten te Edi Rama, ndaj ai nuk u zë besë dhe nuk pranon të bashkohet me ta, për të dalë një front i përbashkët opozitar i të rinjve në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Ndryshe nga ai, Endrit Shabani deklaroi në “Të Pashoq”, se është i gatshëm për bashkim, por pengesa është kreu i “Lëvizjes Bashkë”.
Por kush janë njerëzit dhe partitë që do të bashkohen në këtë logjikë?
Bëhet fjalë për Adriatik Lapajn, Endrit Shabanin dhe Dashamir Shehin, pasi edhe ky i fundit është larguar nga establishmenti dhe ka dalë kundër tij, duke shprehur pëlqimin për t'u bashkuar me të rinjtë.

