Mbetjet toksike/ Rama - Bardhit: Pretendime të rrjedhura me diarrenë e gojës së tanishme, dhe të mundshme po aq sa shkarkesa likuide e asaj goje

Kryeministri Edi Rama nga salla e Kuvendit i është përgjigjur kërkesës për interpelancë nga opozita lidhur me mbetjet e rrezikshme.

Rama tha se nuk janë eksportuar mbetje të rrezikshme, por pa sqaruar skandalin që ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, ndersa u shpreh se duhet nje hetim i ngjarjes ne fjale.

“Ndërkohë që prokuroria dhe OLAF vazhdojnë të hetojnë, goja e pangishme e opozitës ka ngritur akuza dhe ka caktuar fajtor. Kam kohë që nuk merrem më me akuzat që hidhen ndaj meje.

Në këtë rast luhet me ndjeshmërinë e shqiptarëve, jo me mua, që po u flitet për Shqipërinë si një gropë mbetjesh të rrezikshme, kam detyrimin të sjell disa fakte të thjeshta pastaj vetëm hetimi mund të japë një përfundim.”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sipas të dhënave të bëra me dije publikisht në çdo deklaratë dhe dokument të paraqitur nga subjektet private si pjesë e procedurave të eksportit është shumë e e qartë se eksportimi i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme.

“Praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit. Në të dyja rastet, atij të transportit nga Elbasani drejt Tajlandës përmes Durrësit dhe atij nga Kosova drejt Kinës përmes Durrësit, mallrat e deklaruara si okside, hidrokside hekuri apo koncentrat zinku janë transportuar nga porti i Durrësit drejt porteve europiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontenerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm në botën e transportit detar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ngarkesat kanë qëndruar dhe janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE-së, ku askush nuk i ka penguar dhe më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre.

“Nga verifikimet e proceseve logjistike të këtyre dy ngarkesave, si edhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët europianë, mbi të cilat bazohet procedura mjedisore dhe doganore në vendin tonë. E njëjta gjë vlen edhe nga pikëpamja e transportit portual dhe të transportit detar”, tha Rama.

SEANCA PLENARE NE KUVEND