FABULËS SË “PARTIZANIT” I MUNGON KARIZMATIKU/ A ia ka çuar SPAK-u “ftesën” ndërtuesit Fatmir Bektashi?
Prokuroria e Posaçme (SPAK) mes zhurmave në oborr të mbështetësve të tij i komunikoi para pak orësh akuzat ish-kryeministrit Sali Berisha, si dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Zyrtarisht Berisha është marrë i pandehur me akuzën për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim.
Si ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu edhe avokatët e tij dhe vetë Partia Demokratike ngulmojnë se vendimi është i diktuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën dhe për t’i mbyllur gojën kreut të saj.
Por, sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Një orë më pas në SPAK i shoqëruar nga policia dhe avokatët u paraqit i vetëm Jamarbër Malltezi.
Ndryshe nga vjehrri i tij që qëndroi 20 minuta në SPAK, Malltezi qëndroi vetëm 5 minuta.
Sa firmosi se mori dijeni për akuzën dhe me dosjen prej 500 faqesh nën sqetull doli nga godina e SPAK i shoqëruar vetëm nga një polic dhe avokati i tij.
Por fabulës së “Partizanit” në fakt i mungon dhe një tjetër personazh.
Bëhet fjalë për shakatorin “e heshtur” para kamerave dhe mediave ndërtuesin Fatmir Bektashi, për të cilin SPAK-u deklaron se ka përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta të pallateve tek ish-kompleksi “Partizani”.
Mbi këtë të fundit rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bektashi akuzohet se ka hyrë në marrëveshje me Jamarbër Malltezin duke shfrytëzuar ndërmjetësimin e tij me ish pronarët e truallit dhe i ka transferuar dhëndrit të ish kryeministrit rreth 5,4 milionë euro.
Por ndryshe nga çfarë ka vepruar me prokurorët e posacëm, Bektashi është shfaqur qesharak para kamerave duke refuzuar çdo pyetje të gazetarëve, por duke mos i kursyer mimikat sarkastike para kamerave.

Por përtej karizmës së Bektashit, ajo që ka rënë në sy gjatë gjithë procesit hetimor të dosjes në fjalë ka qenë dhe trajtimi disproporcional i të akuzuarve nga SPAK.
Kjo pasi që në caktimin e masës së sigurisë, SPAK-u kërkoi “arrest shtëpie” për Berishën dhe Malltezin, ndërsa për Bektashin vetëm “detyrim paraqitje”.
Dhe nisur nga mungesa e sotme në SPAK e Bektashit, pyetja që ngrihet në këtë rast është se a do të kemi sërish të njëjtin trajtim preferencial (të paktën në dukje) të ndërtuesit Fatmir Bektashi, apo SPAK do të refkletojë dhe do ta shpallë edhe këtë të fundit të pandehur?
E ndërsa shqetësimi qëndron më lart vetëvetiu lind dhe një pyetje tjetër: A i ka çuar “letër-thirrje” SPAK-u përfituesit direkt nga ndërtimet në zonën e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
AKUZAT ZYRTARE
Shtetasi Fatmir Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin Jamarbër Malltezi për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit Jamarbër Malltezi, dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672.976.832 lekë ose 5.420.345 euro.
Gjithashtu shtetasi Fatmir Bektashi , dyshohet se ka konsumuar edhe vepren penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi , pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Jamarbër Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
VIDEO - 6 NËNTOR 2023/ Dosja e "Partizanit", ortaku i Malltezit tallet me gazetarët. Bektashi rrëfehet në SPAK, por jo para mediave



