DOKUMENTI/ Dy raporte për Olta Xhaçkën në Kuvend, Këshilli i Legjislacionit nuk gjen dakordësi. Argumentet e palëve për vendimin e Kushtetueses
Këshilli i Legjislacionit do të paraqesë dy raporte të ndryshme në seancën e Kuvendit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Kjo është hera tretë në 2 vite që deputetët e kuvendit të Shqipërisë do të duhet të ngrenë sërish kartonët për “Çështjen Xhaçka”. Ndërkohë janë zbardhur të dy raportet ai i Mazhorancës dhe ai i Opozitës, të cilët me shumë gjasë do të votohen në seancën e kësaj të enjte, datë 12 shtator.
Mazhoranca duket se ka bërë një hap pas nga qëndrimi i saj i prerë për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e mandatit të koleges së tyre.
Në konkluzionet e raportit, Partia Socialiste argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, por nënvizon më tej raporti, do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët do të vendosin me votë. Deputetët e PS ende nuk kanë marrë një orientim se si duhet të votojnë.
"Neni 132 i Kushtetutës shprehimisht thotë: "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim".
Për sa më sipër dhe në respektim të nenit 132 të Kushtetutës, anëtarët e shumicës në Këshillin e Legjislacionit, çmojnë t'i rekomandojnë Kryetares së Kuvendit që të vërë në dispozicion dhe t'i bëjë me dije seancës plenare të Kuvendit vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese nr.55, datë 10.07.2024.
Është seanca plenare si organi vendimarrës i Kuvendit, që duhet të vendosë dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhacka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në diapozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024", thuhet në konkluzionet e raportit të PS.
Por nga ana tjetër socialistët kanë kërkuar edhe mendimin e Komisionit të Venecias për një opinion për përplasjen e kompetencave mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetit.
Ndërsa në raportin e Partisë Demokratike të hartuar nga Dhurata Çupi e opozitës, si kryetare në detyrë, kuvendit i kërkohet të zbatojë vendimin e gjykatës kushtetuese. Ndër të tjera kryetares së Kuvendit i kërkohet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë detyrimin për të votuar “PRO” dhe të vendosë dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën kushtetuese pa vonesa.
"Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t'i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin "PRO" projektvendimit "Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka", për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin", thuhet në raportin e PD-së.
Do të jetë gjykata kushtetuese ajo që më pas do të vendosë nëse mandati i deputetes Olta Xhaçka është në konflikt interesi sipas nenit 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës. Opozita pretendon se Xhaçka është në konflikt të hapur interesi për shkak të titullit investitor strategjik që i është dhënë bashkëshortit të saj nga qeveria, pretendim që mohohet nga deputetja.
Raporti i opozitës u hartua nga kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, Dhurata Çupi, anëtarë Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Oerd Bylykbashi dhe Asllan Dogjani. Raporti i mazhorancës u hartua nga anëtarët Ermonela Felaj, Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Blendi Klosi dhe Toni Gogu.
DOKUMENTI I PLOTË



