Nesër akuza për Berishën, Boçi: SPAK-u është shfaqur si një organizatë partnere e PS-së...

U mendua se ditët më të vështira të Partisë Demokratike ishin kur Sali Berisha u shpall "non grata" nga SHBA-ja dhe u përjashtua nga PD, mandej kur ndodhi përçarja e madhe brenda PD dhe lufta për logon dhe vulën e saj, por ndoshta ditët më të vështira janë tani kur PD-ja rrezikon që lideri i saj historik të përfundojë pas hekurave.

Nesër ai do të paraqitet në SPAK, ku mesa duket nga ajo që qarkullon në rrethet mediatike, mund të ketë dhe akuza të tjera ndaj Berisha veç atyre që janë bërë publike deri tani. 

Për të kuptuar më shumë mbi këtë temë, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” ishte nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i cili njëherësh është dhe njeriu i përzgjedhur nga demokratët për të udhëhequr demokraët e Shkodrës në rikthimin e bastionit të humbur të PD-së.

"Edhe kjo mënyra e përhapjes së mënyrës së ngritjes së akuzave, ngjason me modalitetet e përdorura 50 vite më parë.

Unë shoh me shqetësim që sjellja politike e SPAK-ut në këtë sezon të ri politik nuk ka ndryshuar, madje ecën sipas frekuencës së sezonit politik dhe këtu ka meritën e sjelljes politike maksimale.

SPAK-u që është shpërshfaqur si një organizatë partnere e PS në mënyren se si ka vepruar dhe operuar gjatë kësaj kohe.

Ne kemi vite të vështira që kalojmë për shkak të sulmeve politike që i bëhen Partisë Demokratike në shumë rrafshe", u shpreh ndër të tjera drejtuesi politik i PD-së për Shkodrën, Luçiano Boçi.