ZGJEDHJET 2025/ Cili është plani për të rifituar bastionin e humbur? Boçi për Shkodrën: Duhen njerëz me përvojë, s'ka proces zgjedhor ku ti ke luksin të...

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike tashmë kanë hedhur në skakierën politike emrat që do të drejtojnë fushatën elektorale.

Ndërsa opozita do të koordinohet me Flamur Nokën dhe Edi Palokën, selia rozë do të ketë në organizim Damian Gjiknurin dhe Blendi Klosin.

Por ndërsa demokratët do të futen në primare për të zgjedhur kush do jenë kandidatët dhe kush në listën e sigurt, Rama e ka bërë më të qartë. Për shkak të pozicionit, vetëm Klosi dhe Balla e kanë mandatin e sigurt.

Për të kuptuar më shumë mbi këto vendime i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” i ftuar ishte nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i cili njëherësh është dhe njeriu i përzgjedhur nga demokratët për të udhëhequr demokraët e Shkodrës në rikthimin e bastionit të humbur të PD-së.

“Sepse është përhapur kjo që PS po vendos të rinjtë dhe PD i shmangu, ndërkohë që unë kam argumentin që në drejtimin e qarqeve për shkak të qenurit në opozitë, të duhen njerëz me përvojë politike. Dhe situata e bandave në Shkodër tregon që në Shqipëri nuk ka proçes zgjedhor ku ti ke luksin të ndërtosh karriera brezash në mënyrë natyrale, që drejtues politik në një qark si Shkodra ose Elbasani, të vendosësh një politikan të ri, që ka dëshmuar aftësi politike, por që dhe kërkon të mbështetet sepse nuk e lejon ambienti politik. Nuk ka proces politik të rregullt, nuk ka respektim të ligjeve të Kodit Zgjedhor, ka angazhim të bandave, ka angazhim të resurseve joligjore të administratës e policisë dhe duhet njeri me përvojë politike. Shkodrën e kam marrë si detyrë politike, siç është drejtimi politik i detyrës politike që kanë marrë edhe të tjerët. Në politikë në një moment të caktuar nuk është çështje dëshirash dhe emocionesh", u shpreh ndër të tjera drejtuesi politik i PD-së për Shkodrën, Luçiano Boçi.

KUSH DREJTON NË 12 QARQE

Në Tiranë PS do të ketë tre drejtues që Rama e ndan mes Elisa Spiropalit, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliu.

Ndërsa demokratët do të drejtohen nga Belind Këlliçi që po ashtu do të ketë dhe drejtues të degëve.

Në Durrës përballja do të jetë mes kryetares së bashkisë Emiriana Sako dhe demokratit Oerd Bylykbashi.

Në Shkodër kreu i bashkisë Benet Beci do të ketë përballë nënkryetarin e selisë blu Luçiano Boçi.

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja do drejtojë socialistët në Lezhë aty ku PD ka vendosur Agron Gjermarkajn.

Pandeli Majkon, Rama e deklaroi drejtues qarku në Kukës aty ku opozita ka nisur punën me Flamur Hoxhën.

Elbasanin që më parë e mbante Balla e Gjiknuri tashmë do ta drejtojë ministri Arbian Mazniku, ku kundërshtar ka Ervin Salianjin, i cili zëvendëson Luçiano Boçin.

Kalimi i Taulant Ballës në menaxhimin e votës së diasporës ka zhvendosur Belinda Ballukun si drejtuese fushate në Fier aty ku PD-ja vendosi të përfaqësohet me Gazmend Bardhin.

Në Korçë, socialistët kanë Niko Peleshin, ndërsa selia blu Ivi Kason.

Në Gjirokastër, Mirela Kumbaro sfidohet nga Tritan Shehu.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo do drejtojë qytetin e tij ku sërish selia blu vendos të përfaqësohet me Eno Bozdon.

Garën në Vlorë do ta kenë në dorë Bledi Çuçi për PS-në dhe Bujar Leskaj nga PD-ja, ndërsa në Dibër, socialisti Blendi Gonxhe ka Xhelal Mziun përballë.

Nga ana tjetër, e djathta ende nuk ka të përcaktuar se kush do të menaxhojë Diasporën.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTE