Nesër akuza për Berishën, Myzyraj: Nuk mjafton, a keni rrugë tjetër për të ardhur në pushtet përveç ankesave?

U mendua se ditët më të vështira të Partisë Demokratike ishin kur Sali Berisha u shpall "non grata" nga SHBA-ja dhe u përjashtua nga PD, mandej kur ndodhi përçarja e madhe brenda PD dhe lufta për logon dhe vulën e saj, por ndoshta ditët më të vështira janë tani kur PD-ja rrezikon që lideri i saj historik të përfundojë pas hekurave.

Nesër ai do të paraqitet në SPAK, ku mesa duket nga ajo që qarkullon në rrethet mediatike, mund të ketë dhe akuza të tjera ndaj Berisha veç atyre që janë bërë publike deri tani.

Për të kuptuar më shumë mbi këtë temë, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” ishte gazetari Isa Myzyraj.

"Unë kam frikë, për shkak të demokracisë në Shqipëri, që ditët më të këqija mund të jenë para të PD, kur Sali Berisha të përballet me Gjykatën e Posaçme dhe në fund me një vendim ndoshta në disfavor të tij. Përsa i përket anës politike, ka një shembull shumë të mirë që është shembulli i SHBA-së. Dua ta mar që të gjitha akuzat ndaj zotit Berisha janë propagandë, e zëmë sikur janë lëshuar e gjithë dynjaja kundër Sali Berishës dhe duan ta zhdukin politikisht Berishën. Çfarë donin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Joe Biden, që u tha se ishte propagandë, partia e vetë tha pavarësisht se e duam shumë, është presidenti më i mirë historik, ja mbushën mendjen se është duke fituar kjo propagandë? Pra, dhe këtu në Shqipëri, unë mendoj që edhe nëse është propagandë, dhe në zgjedhjet e vitit 2025 që janë 7 deri në 8 muaj larg, PD duhet të ketë një forcë të madhe të dalë ditën pas zgjedhjeve dhe t'iu flasë shqiptarëve dhe demokratëve, që do rrinë 16 vite në opozitë. Nuk mjafton të dalësh çdo ditë dhe të thuash që Sali Berishës është duke i rënë në qafë e gjithë dynjaja. A keni rrugë tjetër për të ardhur në pushtet përveç ankesave?", u shpreh ndër të tjera gazetari i "Ora News", Isa Myzyraj.