Tabaku lajmëron interpelancë me Malajn: Pse 10 mijë profesionistë të Lirë duhet t’u kthehen paratë

Deputetja e Partisë Demokratike (PD), Jorida Tabaku, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale një interpelancë urgjente me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, në lidhje me taksën mbi Profesionet e Lira, e cila u rrëzua si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në fund të korrikut.

Tabaku theksoi se, megjithë këtë fitore të rëndësishme për shtresën e mesme dhe profesionistët e lirë, qeveria ende nuk ka kthyer pothuajse 13 milionë euro të mbledhura padrejtësisht nga 10 mijë profesionistë.

“Interpelancë për drejtësi me Ministrin e Financave: Përse 10 mijë Profesionistë të Lirë duhet t’u kthehen paratë,” ka shkruar Tabaku, duke shprehur shqetësimin për vonesën e qeverisë në rimbursimin e këtyre pagesave. Ajo e përshkroi situatën si një shembull të qartë të mënyrës së veprimit të qeverisë socialiste gjatë 11 viteve të fundit: “Të parët për të marrë dhe të fundit për të paguar.”

Tabaku theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se kur shtresa e mesme, profesionistët e lirë dhe politika bashkëpunojnë, mund të arrihet sukses. “Ne mund të fitojmë!” është mesazhi që përcjell ajo në videon e postuar.

Për të vendosur drejtësinë në vend, Tabaku  ka kërkuar një interpelancë me Ministrin e Financave, duke kërkuar llogari përse nuk po kthehen këstet e marra padrejtësisht. Ndërkohë, Tabaku lajmëroi se grupi parlamentar I PD po përgatit edhe dy nisma ligjore për të siguruar që, nëse qeveria nuk ndërmerr rimbursimin e shtresës së mesme dhe profesionistëve të lirë, ata do ta realizojnë këtë përmes një propozimi ligjor.

Tabaku e mbylli mesazhin e saj në rrjete sociale e saj duke nënvizuar urgjencën e çështjes: “Profesionistët e Lirë nuk mund të presin për të marrë paratë e tyre.”

Reagimi i Plotë:

Prej më shumë se një muaji, Gjykata Kushtetuese vendosi se taksa socialiste mbi profesionet e lira ishte antikushtetuese dhe e padrejtë. Megjithë këtë fitore që arriti shtresa e mesme, profesionistët e lirë, grupi parlamentar I PD për të rëzuar një taksë të padrejtë qeveria shqiptare nuk I ka kthyer pothuajse 13 milionë euro profesionistëve të lirë që ua morri këtë taksë. Të parët për të marrë dhe të fundit për të paguar, kjo ka qenë historia edhe eksperienca e këtyre 11 viteve të qeverisë socialiste.  Vendimi Gjykatës Kushtetuese tregoi se kur shtresa e mesme, profesionistët e lirë dhe politika bëhen bashkë ne mund t’ia arrijmë! Ne mund të fitojmë!

Kjo fitore do jetë e plotë kur qeveria shqiptare i kthen këtyre profesionistëve pagesën që kanë bërë për një taksë antikushtetuese. Për këtë arsye në këtë sesion parlamentar kam nisur një kërkesë për interpelancë me Ministrin e Financave për të kërkuar llogari se përse nuk po kthehen këstet e marra padrejtësisht. Nga ana tjetër jemi duke punuar dhe përgatitur dy iniciativa dhe nisma që I kemi gati.

Që edhe nëse qeveria nuk ndërmerr rimbursimin e shtresës së mesme dhe profesionistëve të lirë. Grupi Parlamentar i PD do ta bëj me një propozim ligjor. Nuk ka kohë apo mundësi që Profesionistëtv e Lirë të presin për të marrë paratë e tyre.