“Në 2030-n, me të drejta të plota në BE”/ Rama, ambasadorëve: Punoni për integrimin në tregun e përbashkët evropian
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizon nga 26-28 gusht Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.
Konferenca do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku në konferencë përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, janë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.
Konferenca treditore do të niste, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri tha se në vitin 2030 ne duhet të ulemi si të barabartë në tryezën e Bashkimit Europian.
Ai tha se "ky është objektivi ynë, kjo është detyra jonë, megjithëse kemi një proces që ka etapat e veta".
Gjatë fjalës së tij, Rama u përqendrua tek integrimi ekonomik i vendit në tregun e përbashkët evropian.
“Kjo lidhet me rolin tonë pro-aktiv dhe me qasjen tonë të re për të bërë të mundur interesat e vendit tonë, në përputhje edhe me interesat e partnerëve tanë, në rastin konkret, ato të Bashkimit Evropian”, theksoi ndër të tjera Rama.
Ai u shpreh se stadi në të cilën gjendemi është plotësisht i favorshëm për të hedhur hapin tonë përfundimtar, duke vendosur kështu flamurin tonë kombëtar në oborrin e BE-së në Bruksel.
Kryeministri tha se ne duam të promovojnë paqen, stabilitetin dhe Rajonin si një të tërë, pasi ky është interesi ynë.
“Duhet të nxisim çdo energji që e bën Rajonin sa më bashkëpunues, që e bën më të ndjeshëm ndaj së ardhmes dhe sa më pak ndaj të shkuarës. Ne duhet ta lexojmë të shkuarën me sytë e së ardhmes dhe kjo është pika kyçe mbi të cilën ne ngremë marrëdhëniet me vendet e Rajonit”, tha Rama.
Ai u shpreh se duhet bërë më shumë në raport me Greqinë, Turqinë dhe Italinë, që i cilësoi si partnerët strategjikë të Shqipërisë.
“Përgëzoj ambasadorin tonë në Athinë për transformimin që i ka bërë raporteve të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit me ambasadat dhe konsullatat, por në raport me Turqinë dhe Italinë duhet të bëjmë edhe më shumë në raport me investimet dhe shkëmbimet tregtare”, tha ai.
KONFERENCA
Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.
Lajmi u bë i ditur dje nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, në një postim në rrjetet sociale.
“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha dje ministri Hasani.
Ceremonia e hapjes dhe paneli “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, me pjesëmarrjen e Ministrit Hasani dhe Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë, do të jetë e hapur për median.
AGJENDA E KONFERENCËS

09:30 – Hapja e Konferencës së Ambasadorëve
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
10:30 – 11:15 Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE
Folës kryesorë
Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Tanja Fajon, Zv.Kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë
Ora 12:00 – Ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë.
Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.



