Nga e hëna Kuvendi rikthehet në punë. Puna e parë që do bëjnë, është vendimi i fatit të Olta Xhaçkës  

Puna e parlamentit pritet të nisë javën e ardhshme me mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, i cili do të vendosë nëse do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Javën e ardhshme do të nisë dhe puna e qeverisë, e cila do të bëjë analizën e saj vjetore.

Java e ardhshme pritet që të rikthejë në punë deputetët. Përpara nisjes së sesionit të ri, Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet dërgimi i mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesës së opozitës për seancë të jashtëzakonshme, kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu përgjigj me mbledhjen e Këshillit në datën 27 gusht.

Aty do të vendosë dhe se si do vijojnë procedurat, ndërsa seanca e parë e Kuvendit parashikohet ajo e 2 shtatorit.

Puna duket se do të nisë edhe për qeverinë. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar mbledhjen retreat, ku ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë të institucioneve do të bëjnë analizën vjetore ashtu siç tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme.

Për këtë mbledhje janë njoftuar data 28 dhe 29 gusht ku në fokus do të jetë puna e ministrive, turizmi dhe çështje të tjera të cilat do të diskutohen nga kabineti Rama.

Deri më tani janë dhënë dy mundësi për takimin një në Himarë por edhe në Tiranë.

Nga ana tjetër, edhe opozita ka paralajmëruar tone të larta me rikthimin e seancave, qoftë me komisione hetimore, dosje në prokurori, por edhe me kërkesa për heqjen e mandateve të deputetëve që sipas tyre janë në konflikt të interesit.