Obama: Krenar për presidentin dhe mirënjohës për mikun tim Xho Bajden
Ish-presidenti Barak (Barack) Obama ka reaguar me një postim në rrjetin social X mbi fjalimin e “lamtumirës” së mbajtur nga Xho Bajden (Joe Biden) teksa i kalonte stafetën kandidatës presidenciale Kamala Harris.
Obama është shprehur krenar që SHBA-të kanë pasur një president si Bajden, dhe se ajo që admiron më shumë te presidenti është besimi i palëkundur i tij në premtimin e vendit.
“Ajo që admiroj më shumë te Joe është mirësjellja e tij, qëndrueshmëria e tij dhe besimi i tij i palëkundur në premtimin e vendit tonë. Gjatë katër viteve të fundit, këto janë vlerat që i duheshin më shumë Amerikës. Jam krenar që e quaj presidentin tim dhe jam shumë mirënjohës që e quaj mikun tim”, shkruan Obama.
Dita e sotme, e cila çeli dhe Konventën Kombëtare Demokrate, u shoqërua me mjaft emocione teksa Xho Bajden i kalonte stafetën e tij Kamala Harris dhe shprehu mbështetjen e tij të palëkundur te ajo.