Mbi 700 emigrantë kaluan dje Kanalin Anglez për në Britani, dy persona humbin jetën nga mbytja e gomones
Më shumë se 700 emigrantë kaluan dje Kanalin Anglez për të mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me gomone. Në të njëjtën ditë dy persona humbën jetën nga mbytja e njërës prej anijeve. Në total, 11 varka tentuan kalimin e rrezikshëm, me 703 migrantë në bord, tha Home Office, një numër rekord që kur laburistët erdhën në pushtet në fillim të korrikut.
Dje herët, një varkë raportoi njerëzit ishin në ujë sipas autoriteteve franceze dhe 53 emigrantë u shpëtuan. Dy të tjerë, megjithatë, nuk arritën të riktheheshin në vetëdije: njëri u shpall i vdekur në portin e Calais, tjetri në spital. Gjatë gjithë javës, 1,172 njerëz kaluan Kanalin në përpjekje për të arritur tek autoritetet britanike, duke e çuar totalin për gusht në 1,439, shkruajnë mediat e huaja.
Kalimi i Kanalit Anglez me varka të improvizuara është një dukuri shumë e zakonshme gjatë verës dhe tragjeditë kanë qenë me radhë në brigjet franceze javët e fundit. Vdekjet e mëngjesit të djeshëm e çojnë në nëntë numrin e njerëzve që kanë vdekur në bordin e këtyre varkave në një muaj dhe në 25 që nga fillimi i vitit 2024, duke tejkaluar shumë numrin e vitit 2023 prej 12.
Sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat e autoriteteve britanike, 18,342 njerëz kanë bërë kalimin që nga fillimi i vitit me "varka të vogla", një shifër më e lartë me 13% në krahasim me periudhën korresponduese të vitit të kaluar.
Kryeministri i ri britanik Keir Starmer , i cili mori detyrën në fillim të korrikut, braktisi një plan të diskutueshëm për deportimin e emigrantëve në Ruandë, të cilin konservatorët e promovuan në vitin 2022 për të dekurajuar ardhjet, por që nuk u zbatua kurrë. Në vend të kësaj, Starmer njoftoi se donte të përshpejtonte përpunimin e dosjeve të azilkërkuesve, duke forcuar luftën kundër kontrabandistëve për të "forcuar kufirin".