Helikopteri përplaset në ndërtesë/ Piloti vdiq, dy u plagosën, 400 të evakuuar nga hoteli në Australi

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në Australi, ku një pilot humbi jetën pasi helikopteri që po drejtonte u përplas në çatinë e një ndërtese shumëkatëshe. Rreth 400 persona u evakuuan nga hoteli, teksa dy janë plagosur. Ngjarja ende e paqartë për autoritetet

Një helikopter në Australi është përplasur në çatinë e një hoteli, duke shkaktuar vdekjen e pilotit, i cili ishte i vetëm në bord.

Autoritetet njoftuan se ai humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy persona të tjerë që ishin akomoduar në hotelin “DoubleTree by Hilton” në qytetin e Cairns janë dërguar në spital.

Përplasja shkaktoi zjarr dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesën shumëkatëshe, ndërkohë rreth 400 persona që ndodheshin aty u evakuuan të sigurt.

Mediat locale raportojnë se helikopteri ishte vjedhur, teksa edhe vetë kompania që e zotëronte ka njoftuar se përdorimi i mjetit ishte i paautorizuar.

Pamjet që po bëjnë xhiron e botës tregojnë flakët që kanë përfshirë tarracën e sipërme të hotelit, dhe shtëllungat e tymit ndërsa ende nuk kishte aguar dita.

Dëshmitarët shprehen se e kishin parë helikopterin që fluturonte shumë ulët, pa drita në mot me shi dhe ishte kthyer rreth dy herë pranë hotelit.

Rrugët përreth ndërtesës janë bllokuar dhe një situatë emergjente është shpallur nga policia, ndërsa kanë nisur hetimet për rrethanat e përplasjes.

Qyteti i Cairns në Australi është një destinacion popullor turistik për shkak të afërsisë së tij me Reefin e Madh të Barrierës.