DISKUTIMET PËR ARMËPUSHIM/ Hamasi kërkon që të zbatohet plani i Joe Biden dhe jo diskutime të reja
Hamasi kërkon që në bisedimet me Izraelin për armëpushim në Gaza të zbatohet plani i Presidentit Joe Biden. Ndërmjetësuesit kanë lënë datën 15 gusht për takim mes palëve, por ende nuk dihet nëse diçka e tillë do të ndodhë në kushtet kur grupi palestinez nuk është shprehur ende.
Në kushtet kur ka përpjekje serioze për armëpushim në Gaza, Hamasi kërkon që ndërmjetësuesit të paraqesin një plan mbi bisedimet e kaluara dhe jo diskutime të reja.
Deklarata e grupit vjen pak ditë pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit për tu takuar me përfaqësuesit e Izraelit dhe Hamasit në datën 15 gusht.
Izraeli shprehu dakordësi për të dërguar përfaqësues në Katar apo në Doha, Por ende nuk ka një konfirmim nga grupi palestinez.
Lëvizjet e fundit duket se mund të çojnë në një dështim të kësaj përpjekjeje. Kushti i Hamasit është që bisedimet të rifillojnë mbi planin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
“Lëvizja u bën thirrje ndërmjetësve ta paraqesin një plan për zbatimin e asaj për të cilën është pajtuar lëvizja më 2 korrik 2024, bazuar në vizionin e Bidenit dhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në komunikatën e Hamasit.
Më tej nënvizohet se negociatorët duhet të arrijnë qëllimin që Izraeli ta zbatojë marrëveshjen dhe jo të kërkojnë raund të ri bisedimesh.
Sa i përket Presidentin Joe Biden, ky i fundit paraqiti një plan me tri faza për armëpushim në Gazë gjatë një fjalimi më 31 maj në Uashington.
Dhe që nga ajo kohë, ndërmjetësit rajonalë kanë tentuar t’i ulin palët në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve, por janë përballur me pengesa të vazhdueshme.
Kohëve të fundit është rritur edhe rreziku për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme, pas vrasjes në Teheran të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, si dhe komandantit të lartë ushtarak të Hezbollahut, Faud Shukr, në Bejrut.


