Gjikuria takime me banorët në Himarë: Programe specifike për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor

Kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria zhvilloi takime me banorët e Fterrës dhe Çorrajt.

Gjatë takimit ai u parashtroi atyre programin e tij për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor.

Gjikuria, në një postim në rrjetet sociale ka ndarë detaje nga ndalesa në Fterrë dhe Çorraj. “I falenderoi banorët.

Më shtruan problemet më të rëndësishme të tyre, ujin dhe rrjetin e kalbur të ujësjellësit”, theksoi Gjikuria.

Ai nënvizoi se, “një problem tjetër madhor i këtyre fshatrave është rruga, e cila duhet të bëhet e aksesueshme si për banorët, ashtu edhe për turistët që vizitojnë këto zona”.

Madje, shtoi ai, “më treguan edhe rastin e vdekjes së një zonje të cilën u detyruan ta trasportojnë me krahë deri në Borsh”.

“Është e padurueshme të shikoj pamje të tilla dhe të dëgjoj të tilla raste në vitin 2024.

Ata që janë përgjegjës për këtë duhet t’u vijë turp. Kanë edhe kurajë të shkojnë të kërkojnë votat e këtyre banorëve”, u shpreh Gjikuria.

“Me mandatin e dhënë nga shumica e qytetarëve, që ditën e nesërme të marrjes së detyrës do të filloj zbatimin e programit të Fredi Belerit që u votua me shumicë në 2023, program i cili ka parashikime specifike për infrastrukturën dhe rrjetin rrugor. Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur”, theksoi më tej Gjikuria.