Zgjedhjet në Himarë/ Shorti përcakton renditjen e kandidatëve, Tavo i pari në fletën e votimit

KQZ ka hedhur shortin për renditjen e kandidatëve për zgjedhjet e Bashkisë së Himarë. I pari në listë do jetë Vangjel Tavo ndërsa i dyti rivali tjetër Petraq Gjikuria.

Emri i Vangjel Tavos i Partisë Socialiste do jetë i pari në fletën e votimit në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës që do të mbahen në datën 4 gusht, dhe Petraq Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i dyti.

Shorti u hodh në Komisionin Qendror rë Zgjedhjeve ku të dy kandidatët do të garojnë për të marrë drejtimin e bashkisë.

“Emri i parë është Vangjel Tavo dhe emri i dytë është Petraq Gjikuria.”

Në mbledhje u përcaktuan edhe qendrat e votimit për qytetarët e bashkisë.

“Komisioneri i vendimit 128 datë 25.07, miratoi caktimin e pesë qendrave të votimit  në ambientet private, nga shtatë propozimet e paraqitura. Sa i takon dy qendrave të votimit, përkatësisht 4562, 4562/01 në fshatin Shen Vasil, në njësinë administrative Lukovë, KQZ bazuar në kërkesën e KZAZ kreu një inspektim lidhur ndaj kritereve të kushteve të propozuara nga Bashkia Himarë për vendndodhjen e këtyre qendrave të votimit. Nga inspektimi në terrene u konstatua se ambient I propozuar nga Bashkia Himarë nuk plotësonte kushtet për të siguruar fshehtësinë e votës.”

Në zgjedhjet e kaluara Fredi Beleri fitoi zgjedhjet për këtë bashki por nuk u betua asnjëherë pasi ndodhet në burg i akuzuar për blerje votash.