Zgjedhorja pa reformë/ Nuri: Qëndrimi i PD i qartë, nuk u arrit të miratoheshin koalicionet parazgjedhore
Sot pritet që Kuvendi të votojë dakordësinë mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do t'i hap rrugë votës së diasporës dhe hapjes së listës në 2/3 e tyre.
Për të folur për këto zhvillime, i ftuar në një intervistë në "Ora News" nëpërmjet një lidhjeje në"Skype", ishte përfaqësuesi i PD në KQZ, Franc Nuri.
"Qëndrimi i Partisë Demokratike është mjaft i qartë. Nuk ka reformë zgjedhore, nuk ka pasur konsensus për reformë zgjedhore. Mazhoranca socialiste nuk është dakord për mjaft ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të adresuar problematika si eleminimin e patronazhistëve, si heqjen e ndërhyrjeve të politikës në administratën publike dhe ndërhyrjet e administratës publike në zgjedhje, nuk kanë qenë dakord për rëndimin e ndëshkimeve dhe sanksioneve në Kodin Penal për personat që tentojnë të manipulojnë ose të tjetërsojnë votën e qytetarëve. Më e rëndësishmja që nuk u arrit të miratohej janë koalicionet parazgjedhore. Ky ishte kriteri numër një që Partia Demokratike kishte kërkuar për reformën zgjedhore dhe ky element as nuk u diskutua. Nuk ka reformë zgjedhore, por ka një detyrim të ardhur nga disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë nxjerr Kodin Zgjedhor jashë loje për votën e emigrantëve dhe nga ana tjetër e kanë nxjerrë të pazbatueshëm Kodin Zgjedhor aktual për pjesën e llogaritjes së mandateve të deputetëve", tha Nuri.
