“Sterilizimi”/ Shtyhet sërish seanca paraprake në GJKKO ndaj Ilir Beqajt, ja shkaku. Kur do të mbahet seanca e radhës

Shtyhet për të disatën herë seanca paraprake për Ilir Beqajn dhe personat e tjerë të akuzuar për dosjen e Sterilizimit. Shkak u bë mungesa e një prej avokatëve.

Ish-ministri i Shëndetësisë ishte i pranishëm në seancë ku u shfaq tepër i irrituar duke nisur të kundërshtojë veprime e SPAK. Aktet e sjella në gjykim përmbajnë të pavërteta pretendoi ish-zyrtari nën akuzë për shpërdorim detyre.

Ai kërkoi të bënte një deklaratë për aktet procedurale qënlidhen me hetimin tjetër të dosjes SASPAC, teksa reagimi i Beqajt vjen dy ditë pasi në një banesë të pretenduar prej tij të marrë me qira në Vlorë, ushtruan kontroll hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por nga ana tjetër ndërhyri gjykata duke i kujtuar Beqajt se jemi ende në fazën e legjitimimit të palëve dhe do ti jepet mundësia për tu shprehur në një moment tjetër.

Seanca ku gjykata do të shprehet nëse dosja kalon për gjykim ose jo, u shty për në datën 12 shtator në orën 10.00.