Zjarret në Dropull rrezikojnë edhe kishën 3 shekullore, në ndihmë të zjarrfikësve edhe forcat e Fierit

Vazhdon lufta me flakët në fshatin Dhuvjan në Bashkinë Dropull. Raportohet se zjarri rrezikon kishën 3 shekullore ortodokse që ndodhet në lartësitë e fshatit. Në terren kanë shkuar disa automjete zjarrfikëse për të shuar flakët.

Ne vendngjarje kanë shkuar edhe 3 furgonë të forcave speciale të FNSH së Fierit për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Situata paraqitet mjaft kritike.

Prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote, ka pranuar se situata me zjarret në Dropull ka dalë jashtë kontrollit dhe se masat e marra deri tani kanë dështuar, pasi flakët po rrezikojnë fshatrat e zonës.  

Në një reagim publik, Kote ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe ndihmën e ushtrisë lidhur me situatën e zjarreve në zonë, ku sipas tij në bashkinë e Dropullit situata është dramatike, pasi në terren janë vetëm 15 ushtarë.

‘’Urgjente/ Në bashkinë Dropull situata është dramatike. Duhen forcat e ushtrisë te ndërhyje se po digjen fshatrat. Ne terren janë vetëm 15 ushtare”, thotë ai.

Kujtojmë se ditën e djeshme në Dropull kanë ndërhyrë dy avionë zjarrfikës të ardhur nga Greqia të tipit Canadair.

Vatra sporadike zjarri ka patur edhe në kullotat mbi fshatin Sofratikë, por ato kanë qenë nën kontroll dhe nuk rrezikuan banorët dhe pasurinë e tyre materiale.