Nesër protesta e opozitës/ Paloka në shesh për qytetarët: Shqiptarët të dalin për të drejtat e tyre, jo për karriget tona...
Ditën e sotme, në studion e lajmeve të "Ora News" nëpërmjet një lidhjeje në "Skype", ishte Edi Paloka, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të folur për protestën kombëtare të opozitës.
"Shqiptarët janë i vetmi popull që kanë 1000 arsye për të protestuar. Uroj që nesër, mbase jo me forma ekstreme por thjesht me praninë e tyre, të dalin dhe të tregojnë që nuk janë dakord për vjedhjet që ju bëhen çdo ditë, as me mashtrimin as me vrasjet dhe as me poshtërimin që ju bëjnë qeveritarët. Sepse në këtë pikë ka arritur puna. Shqiptarët i vjedhin, i mashtrojnë, i vrasin, siç ishte rasti i fundit tek Onkologjiku që u bë publik. Pra, nëse shqiptarët nuk shohin arsye për të dalë dhe për të protestuar, nuk e di se çfarë arsyesh të tjera duhet të kenë këta qytetarë që të reagojnë. Unë e kam thënë që në fillim, ju kam kërkuar qytetarëve të reagojnë për veten, jo për karriget tona", tha Paloka.
