Rrëzimi i ligjit për komisionet hetimore, Felaj: Nuk ka asnjë antikushtetutshmëri, “gjysmagjelët” e politikës që ...
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për Komisionet Hetimore, duke theksuar se ligji nuk është gjetur antikushtetues, pasi do të duhej të ishte shfuqizuar po dje.
Felaj u shpreh se nuk ka asnjë antikushtetutshmëri nga ana e Kuvendit në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore.
“Një koment për “gjysmagjelët” e politikës që gjejnë fitore dhe aty ku ato nuk ekzistojnë. Së pari, ligji për komisionet hetimore nuk është gjetur antikushtetues, nëse kështu, do duhet të ishte shfuqizuar po sot.
Dhe nuk kishte sesi, sa kohë që përshkrimi i objektit dhe i veprimit të komisioneve hetimore, i përmbahet mot à mot vendimeve të vetë kësaj gjykate në vite dhe sa kohë dhe vetë opozita pati propozuar të njëjtën gjë dhe asnjë germë më shumë”, tha Felaj.
Felaj theksoi se “ligji garanton transparencën e punës së komisioneve hetimore, sikurse po shihet edhe me dy komisionet hetimore në veprim”.
“Dyert e mbyllura nuk janë rregulli, por përjashtimi i nevojshëm ligjor dhe kjo është pranuar edhe nga Kushtetuesja, përndryshe i bie indirekt të rrëzojë edhe ligjin gjerman të komisioneve hetimore. Shkurt e qartë, asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës”, tha Felaj.


