Mblidhet TIMS-i, Salianji pas vendimit të Kushtetueses: Mbledhjet me dyer të mbyllura duhet të zbardhen, ose të ripyeten dëshmitarët

Ka nisur mbledhjen Komisioni hetimor për të dhënat e TIMS. Kryetari i komisionit Ervin Salianji u shpreh se mazhoranca ka penguar transparencën duke mbajtur mbledhje me dyer të mbyllura.

“Çdo mbledhje që duhet të sillte transparencë e dritë në errësirë, ju e keni mbyllur me vendimmarrje të ndërmjetme duke shkelur ligjin, edhe sipas vendimit të gjykatës tashmë.

Më vjen mirë që rrini me kokë të ulur, sepse shumicën i keni që vjedhin e rrinë me kokë lart. Mbledhjet e bëra me dyer të mbyllura duhet të zbardhen procesverbalet ose të ripyeten dëshmitarët”, tha ai.

DEBATET NE MBELDHJE

Më tej, Salianji tha se mazhoranca ka qenë në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për një seri vendimesh të marra gjatë punimeve në komision.

“Jeni në anti-kushtetutshmëri. Edhe mbledhjet e mbyllura që janë bërë me demek se kishte sekret hetimor, kanë qenë në shkelje të ligjit. Ose duhet të zbardhen procesverbalet, ose duhen ribërë takimet”, tha Salianji.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i PS-së, Toni Gogu, në përgjigje të deklaratës së deputetit Salianji u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetues duhet të lexohet drejt dhe duhet të kalojë përmes rregullores së Kuvendit.

“Ju po kërkoni të bëni politikë me atë vendim. Ju doni t’i vini shosh paligjshmërisë që kemi parë në këtë komision”, tha Gogu.

“Duke u kthyer tek pretendimet tuaja, ky komisioni ka zbatuar ligjet në fuqi dhe standardet për të cilat Gjykata Kushtetuese ka folur. Por në momentin kur dëshmitarët deklarojnë se informacioni që disponojnë dhe paraqesin në këtë komision, plotëson ato kritere dhe cënon jetën profesionale apo individuale të njerëzve, patjetër që ne do të marrim vendimin, sipas kompetencave që jep ligji. Ja lëmë Këshillit të Legjislacionit të vlerësojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do jetë ai këshill që do të vendosi si do të veprohet”, tha Gogu.

“Nëse ligji do të ishte antikushtetues, do të ishte shfuqizuar i gjithi, por ligji është në fuqi”, tha Gogu.

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, pati një kërkesë procedurale për shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet duke rimarrë në pyetje dëshmitarët apo duke i hapur procesverbalet e dëshmive për publikun.

Zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon: 

1. Ora 10:00 – Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

2. Ora 11:00 – Genti Gazheli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave

3. Ora 12:00 – Edmond Rrushi, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

4. Ora 13:00 – Luneda Sufali, Kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor

5. Ora 14:00 – Ardian Bali, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;

6. Ora 15:00 – Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave