SKEMA/ Si i nxorën jashtë shtetit paratë drejtorët e Tiranës. Me paratë që i rifusnin, Qato e Molla blenë prona
Kompania “5D” që sipas SPAK zotërohet nga drejtorët e arrestuar të bashkisë së Tiranës si dhe dy subjekte të tjera janë sekuestruar. Prokuroria e Posaçme thotë se janë zbuluar shuma parash që kanë qarkulluar me të cilat më pas janë blerë edhe pasuri të tjera të paluajtshme. Tashmë edhe një vilë, trualli dhe katër apartamente të tjera janë bllokuar nga shteti
SPAK ka vendosur sekuestron ndaj 3 kompanive që janë të lidhura me drejtorët e bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Bëhet fjalë për subjektin “5 D Konstruksion”, që është duke ndërtuar dhe një objekt në zonën e plazhit në Durrës, dhe të regjistruar në emër të Nestor Muhamellarit.
Një tjetër kompani është Restur e themeluar në vitin 2020 me ortak dhe administrator vetë Redi mollën. Në administrim të shtetit është dhe 24 për qind e kuotave të subjektit “Mediterranean Investment Group, dhe që zotërohen prej Redi Mollës
Gjatë hetimeve të nisura në vitin 2023 SPAK thotë se ka zbuluar shuma monetare që kanë kaluar nga kompani të tjera drejt “5D”-së, që akuzohet se në fakt i përkasin dy drejtorëve të Tiranës, Molla dhe Qato.
Paratë pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktive, duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme, thuhet në deklaratën e SPAK.
Madje paratë janë përdorur më pas edhe për blere të pasurive të tjera të paluajtshme.
Së bashku me tre kompanisë spak ka bllokuar truallin 506 m2 dhe ndërtesën në të në rrugën Tefta Tashko tiranë e që I përkasin shtetasve Selim Molla, Ollga Molla.
Të njëjtëve persona u është bllokuar dhe trualli 51.3 m2 në të njëjtën zonë.
Një apartament 122 m2 dhe dy parkime me 42 m2, në emër të Sanije Qatos e afërme e Mariglen Qatos, po ashtu janë sekuestruar se bashku me një apartament 86 m2 që i përket të njëjtit person.
Ndërkaq hetimet aktualisht po vijojnë për fshehje pasurie, shkelje e barazisë në tendera dhe korrupsion.
Pronat e sekuestruara nga SPAK:
1. Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
3. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
4. Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
5. Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
6. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
7. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.




