Bylykbashi: PS nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i pranishëm në tryezën me temë “Zgjedhjet 2025: Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve”, të organizuar nga KQZ me mbështetjen e OSBE-s u shpreh se mazhoranca nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
“Rekomandimi i parë i OSBE-ODIHR është zbatimi i ligjit.
Por, zbatim të ligjit nuk ka”, tha Bylykbashi, duke shtuar se “lajmi i keq sot është që Partia Socialiste e dështoi reformën zgjedhore.
Fakti që dështoi për dy vite për një komision reforme, sigurisht nuk lë të kesh hamendësime që në një grup dialogu, që kishte më pak rregulla dhe garanci parlamentare, të kishte sukses në tre muaj”.
“Po ashtu, edhe shqetësimet reale që ka opozita për procesin zgjedhor pasi ka një rol thelbësor dhe të veçantë lidhur me këtë proces, sot me vendimet e marra, tregon se nuk ka dhe nuk do të ketë reformë që mund t’i zgjidh këto shqetësime”, shtoi Bylykbashi.
“Do të mbeten të deformuara mekanizmat me të cilat transformojnë votën e shqiptarëve në mandate, rezultati i procesit zgjedhorë do të mbetet ai që kemi parë.
Kjo, edhe sikur të shtojmë volumin e votave, pra nëse fusim dhe votën e diasporës, sërish do të transformohen dhe transferohen nga ky mekanizëm.
Kjo s’ka ndodhur asnjëherë deri më sot që në dy vitet e fundit të mos gjendet mundësia për reformë zgjedhore”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, reformë zgjedhore është bërë dhe në kushtet kur përplasja politike ka qenë më e ashpër.
Ai tha se edhe në vitin 2020 kur u votua reforma zgjedhore, Partia Socialiste gjeti mekanizma për të ndryshuar.
“Procesi zgjedhor qëllim kryesorë ka që vota e qytetarëve të hidhet e lirë, e fshehtë dhe pa presion dhe në fund të numërohet siç duhet. KQZ është konceptuar si organ që duhet të jetë si kontrollues dhe balancues mes tre organeve.
Arsyeja që kemi shkuar drejt propozimit për balancimin e KQZ, është shumë e rëndësishme, por dhe kjo nuk u lejua siç duket”, tha Bylykbashi.
