Basha i pikëlluar në homazhet për Kadarenë: I tregoi botës identitetin europian të kombit shqiptar

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha dhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë marrë pjesë në homazhet që po mbahen sot në nder të gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.

Basha u shpreh se kjo është një humbje e madhe për letërsinë shqiptare. Sipas Bashës, Kadare i tregoi botës identitetin europian të kombit shqiptar.

“Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet e shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa”, tha Basha.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë më tej pati një apel dhe për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri. “Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do t’i shndërrojë,  të kuptojnë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ”, tha Basha.

Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë. Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës.

Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare. Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.

CEREMONIA E HOMAZHEVE